Kur vetëm pak ditë më parë, qeveria nënshkroi marrëveshjen për ndërtimin me koncesion të rrugës së Arbrit, FMN shprehet kundër idesë së ndërtimit të rrugëve me koncesion. Në një raport të publikuar sot, ajo rekomandon rrugë të tjera financimi për investime siç janë thithja e donacioneve nga jashtë.
Fondi Monetar Ndërkombëtar shprehet kategorikisht kundër ndërtimit të rrugëve me koncesion nga kompani private. Në kohën që qeveria vetëm pak ditë më parë firmosi kontratën koncesionare për ndërtimin e rrugës së Arbrit dhe lajmëroi edhe koncesione të tjera në këtë drejtim, FMN del sot me një analizë të detajuar, ku i tërheq vemendje të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Sipas FMN-së, mënyra e duhur e financimit të rrugëve nuk është ajo me Partneritet Publik Privat, sidomos për vendet që kanë një borxh të lartë ku bën pjesë edhe Shqipëria. Ekspertë të Fondit rekomandojnë se nuk duhen projekte të ekzagjeruara dhe të dobëta, por planifikime të sakta dhe tërheqjen e donacioneve dhe financime nga jashtë. FMN bën thirrje që projektet në infrastrukturë mos të politizohen dhe të rritet bashkëpunimi mes vendeve të rajonit. Një alternativë tjetër, që sugjeron Fondi Monetar për të gjetur financime është edhe zgjerimi i bazës tatimpaguese nëse ka hapësira.
Raporti shprehet kritik me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duke thënë se kanë rrjete të pazhvilluara të transportit, energjisë dhe telekomunikacionit .
Sipas FMN, mungesa e infrastrukturës publike të rajont shihet edhe si pengesë e madhe për rritjen ekonomike të vendeve./abcnews.al