Jep dorëheqjen ministri izraelit i Mbrojtjes

schedule20:19 - 14 November, 2018

schedule20:19 - 14 November, 2018

Avigdor Lieberman, ministri izraelit i Mbrojtjes ka dhënë dorëheqjen duke kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në vend. Arsyeja për këtë dorëheqje është marrëveshja për armëpushim e arritur të hënën mes Izraelit dhe Hamas në Rripin e Gazës.

Pasi ka dhënë dorëheqjen nga posti i ministrit të Mbrojtjes, Avigdor Lieberman ka kërkuar zgjedhje të parakohshme në vend. Gjatë një konferencë për shtyp, tashmë ish-ministri izraelit, tha se edhe anëtarët e partisë së tij do të largohen nga qeveria e kryeministrit Netaniau.

Ndër të tjera Lieberman u shpreh se nuk ka qartësi në vizionin politik dhe në atë të sigurisë nga qeveria aktuale. Prandaj sipas tij, duhet caktuar sa më parë një datë për zgjehdjet e reja. Ish ministri i mbrojtjes e cilësoi si një dorëzim para terrorizmit, armëpushimin e arritur të hënën me Hamas, në Rripin e Gazës, falë ndërmjetësimit të Egjiptit dhe Kombeve të Bashkuara.

Nga ana e tij kryeministri izraelit Benjamin Netaniau mbrojti armëpushimin duke thënë se armiqtë e Izraelit kanë lutur shtetin hebre për të pranuar këtë armëpushim Por Lieberman këmbënguli se marrëveshja për armëpushim është një blerje e paqes për një kohë të shkurtër, por që vendit do i kushtojë një pasiguri që do të zgjasë më shumë. Ish ministri izraelit i mbrojtjes prej kohës kërkonte një operacion ushtarak të shkallës së gjerë kundër Hamas në Rripin e Gazës. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Izrael janë parashikuar për në nëntor të 2019-s, ndërsa zgjedhjet e parakohshme do të mund të mbaheshin në muajin mars të vitiit të ardhshëm.

Hamas ka festuar lajmin për dorëheqjen e ministrit izraelit duke e konsideruar si një fitore e Rrripit të Gazës. Zëdhënësi i Hamas theksoi se dorëheqja e Lieberman është një pohim për humbjen dhe paaftësinë e Izraelit për tu përballur me rezistencën palestineze. Gjithashtu është një fitore që rezistenca në Rripin e Gazës shkaktoi një tërmet politik në Izrael./abcnews.al