“Jemi në një kapitull të ri nga dje,” Rama: Kërcënimi i PS jemi ne vetë, opozita fuqi destruktive nga hallet e dy njerëzve

schedule18:49 - 20 Korrik, 2022

schedule 18:49 - 20 Korrik, 2022

“Jemi në një kapitull të ri të historisë së vendit nga dita e djeshme.” Kështu i ka komentuar ngjarjet e fundit nga proceset euro-integruese të vendit kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes me drejtuesit e rinj të Partisë Socialiste pas përmbylljes të garave për përzgjedhjen e tyre në të 61 bashkitë e vendit.

 

Ndër të tjera, kreu i të majtëve tha se PS ka nevojë të rishipikë vetën pasi opozita sipas tij nuk është e besueshme dhe është kthyer në një forcë destruktive “ për hallet e dy njerëzve.”

“Ne jemi në një kapitull të ri të historisë së vendit nga dje. Ndër shumë të tjera kemi nevojë të rishpikim vetveten. Duhet të vijojmë me punën. Nuk kemi një opozitë të besueshme, as të qëndrueshme, as të kuptueshme. Kemi një fuqi destruktive të krijuar nga hallet e dy njerëzve.

Por nuk është ajo fuqi asesi një kërcënim për ne. Kërcënimi ynë jemi ne. Janë gabimet dhe fajet tona, në të gjitha nivelet. Kërcënimi ynë është pluhuri që zë një makineri që nuk lëviz me shpejtësi dhe nuk pastrohet përditë. Kjo vlen për qeverinë, për strukturat e larta të partisë, për partinë në territor. Zgjedhjet vendore janë zgjedhje në të cilat partia duhet të lozë edhe një rol më të madh se më parë. Të mobilizohemi e të ndërtojnë një proces që t’i krijojë kushtet që partia të funksionojë si zëdhënëse e qeverisë, ndërmjetëse dhe llogari-kërkuese,” tha ndër të tjera Rama.

Po ashtu, Rama duke u drejtuar drejtuesve në 61 bashki, tha se secili prej tyre duhet të punojë në mënyrë që të vërtetojnë që e meritojnë të jenë aty ku janë sot.

“Ky proces ka dhe anën tjetër të medaljes, që cilido nga ju që nuk do performojë…Gjykimi aktual është që ju jeni të duhurit në këtë moment, pastaj duhet ta vërtetoni me punën tuaj çdo ditë. Të shkojmë drejt zgjedhjeve duke fituar tani, jo ditën e zgjedhjeve.” /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!