Analisti Artur Nura ka komentuar zhvillimet gjeopolitike në botë, duke u ndalur te rivaliteti mes fuqive të mëdha, ndikimi ekonomik i Kinës dhe raportet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe Bashkimit Europian.
Sipas Nuras, bota po përballet me një përplasje për zonat e influencës, ku shtetet e mëdha synojnë të zgjerojnë ndikimin e tyre ekonomik dhe strategjik.
Ai e ka cilësuar situatën aktuale si një luftë të tretë botërore përmes rivalitetit për kontrollin e zonave me rëndësi ekonomike dhe gjeopolitike.
Sipas tij, aktualisht ka dallime të qarta, përfshirë ato strategjike, mes Uashingtonit, NATO-s tradicionale dhe Bashkimit Europian.
“Lufta frontale ndodh në zona të caktuara, jemi në një luftë të tretë botërore. Përplasja është për zonat e influencës, për zona që do të shfrytëzojnë shtetet e mëdha për ekonomi. Kina është marrë me ekonomi të drejtpërdrejtë, shtrirja e saj në Europë dhe Afrikë është evidente. Kinës nuk i intereson Lufta e Ftohtë. Kjo duhet përdorur nga Perëndimi për të krijuar të çara në bllokun kundërshtar. Duhet të shfrytëzohen nga pala. Ne kemi SHBA-në, që për fat të keq nuk janë në sinkron me NATO-n tradicionale dhe BE-në. Ka diferenca të qarta dhe diferenca strategjike. Europa duhet të marrë përgjegjësi për Ballkanin, ose do ta vuajë.” / abcnews.al /


