“Jemi me ngjyrë, s’na japin shtëpi”, protestë para bashkisë së Lezhës

schedule09:25 - 19 Shkurt, 2020

schedule 09:25 - 19 Shkurt, 2020

Janë 40 banorë të komunitetit rom dhe egjiptian që kanë mbetur në mes të 4 rrugëve në Lezhë. Ata kanë kaluar natën jashtë dhe sot po protestojnë poshtë zyrës së kreut të bashkisë, Pjerin Ndreu. Shtëpitë e tyre janë shembur nga termeti i 26 nëntorit, dhe prej afro 3 muajsh kanë qenë të strehuar në palestrën e shkollës. Së fundmi janë njoftuar se duhet të lirojnë palestrën dhe të shkojnë në shtëpi me qira.

Sipas tyre, bonusi i qirasë i dhënë nga bashkia është 12 mijë e 500 lek, shumë kjo e pamjaftueshme për të marrë një shtëpi me qira. Por jo vetem kaq, ata shprehen se janë të paragjykuar, pasi pronarët e shtëpive nuk u japin shtëpi.

Në raportimin ‘live’ nga sheshi para bashkisë së Lezhës, gazetari i abcnews.al Gjergj Figuri tha se çmimi i shtëpive në Lezhë shkon nga 20-25 mijë lek në muaj, ndërsa bonusi i bashkisë është sa gjysma e kësaj shume. Ndërsa shumica e pronarëve nuk pranojnë të japin banesa për komunitetin rom dhe egjiptian, ndaj janë të detyruara të qendrojnë jashtë deri kur të vijë një zgjidhje nga bashkia për ta.

Armand Sinani kreu i shoqatës së integrimit të romëve u shpreh se janë 40 persona që e kanë kaluar natën jashtë, prej të cilëve, 9 burra, 9 gra dhe 22 fëmijë. “Jemi të varfër dhe kemi mbetur në dorë të zotit. Jemi me ngjyrë nuk na japin shtëpi. Vete kryetari i bashkisë ka dhënë se do rrini aty (palester) por tashmë na kanë thënë të dalim jashtë. Presim një zgjidhje!”, u shpreh ai. /abcnews.al

Në pamje: Familjet rome dhe egjiptiane u nxorrën mbrëmë me force nga palestra e gjimnazit

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!