Izraeli shpall terroriste gjashtë OJQ palestineze

schedule20:51 - 22 Tetor, 2021

schedule 20:51 - 22 Tetor, 2021

Izraeli ka shpallur si terroriste gjashtë organizata palestineze të shoqërisë civile. Lajmi është bërë me dije ditën e sotme duke i akuzuar 6 OJQ se i kanë orientuar ndihmat e donatorëve në duart e militantëve.

Ndër organizatat e ndaluara janë edhe Al-Haq dhe Addameer, që njihen si grupet kryesore palestineze për të drejtat e njeriut. Këto organizata monitorojnë shkeljet e supozuara të të drejtave të njeriut nga Izraeli dhe Autoriteti Palestinez i mbështetur nga Perëndimi, i cili ka vetëqeverisje të kufizuar në Bregun Perëndimor.

Tashmë kërkohet që autoritetet izraelite të mbyllin zyrat e këtyre organizatave, të konfiskojnë asetet e tyre dhe të arrestojnë stafin e tyre në Bregun Perëndimor të pushtuar. Në një deklaratë të përbashkët organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Human Rights Watch dhe Amnesty International, e dënuan veprimin e Izraelit, transmeton Reuters.

Ministria e Mbrojtjes e Izraelit tha se gjashtë grupet palestineze kishin lidhje me Frontin Popullor për Çlirimin e Palestinës (PLFP), një fraksion i krahut të majtë që ka kryer sulme vdekjeprurëse kundër izraelitëve.