Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallad informoi Sekretarin e Shtetit të SHBA-së Anthony Blinken për operacionin ushtarak të vendit të tij në Rafah të Gazës jugore dhe marrjën në kontroll të pikës kufitare pranë Egjiptit, tha të hënën Gallant.
Në një telefonatë gjatë natës, Gallant dhe Blinken “diskutuan zhvillimet në Gaza dhe detajet e operacionit në zonën e Rafah kundër batalioneve të mbetura të Hamasit.”
Forcat izraelite përparuan në skajin verior të Gazës të hënën për të rimarrë territorin ku ata pretendonin se kishin mundur Hamasin muaj më parë, ndërsa në anën tjetër të enklavës tanket dhe trupat po përparonin nëpërmjet një autostrade në Rafah.
Me disa nga luftimet më të ashpra në javë që po zhvillohen tani në Rripin verior dhe jugor të Gazës, qindra mijëra palestinezë janë zhvendosur sërish dhe grupet e ndihmës kanë paralajmëruar se kriza humanitare mund të përkeqësohet me shpejtësi.
Palestinezët theksojnë se nevoja për të vazhduar luftën në rrënojat e betejave të mëparshme është dëshmi se qëllimet ushtarake të Izraelit janë të paarritshme. Në Jabalia, më i madhi nga tetë kampet e Gazës, të ndërtuara 75 vjet më parë për të strehuar refugjatët palestinezë tanket u futën në “zemrën” e zonës.
Trupat izraelite po kërkojnë të eliminojnë Hamasin, i cili nga ana e tij ka deklaruar se kërkon të shkatërrojë Izraelin. Anëtarët e armatosur të grupit pushtuan Izraelin më 7 tetor dhe vranë 1200 njerëz, ndërsa morën më shumë se 250 pengje, sipas Izraelit.
Më shumë se 35,000 palestinezë kanë vdekur që nga fillimi i luftës, sipas zyrtarëve shëndetësorë të Gazës.
Luftimet kanë shkatërruar enklavën bregdetare dhe kanë shkaktuar një krizë të thellë humanitare, me ministrinë e shëndetësisë së Gazës që paralajmëroi në një deklaratë të hënën se sistemi mjekësor është në prag të kolapsit për shkak të mungesës së karburantit për gjeneratorët dhe ambulancat.
Zyrtarët palestinezë shëndetësorë thanë të hënën se deri më tani kanë gjetur 20 trupa palestinezë të vrarë në sulmet ajrore gjatë natës në Jabalia, ndërsa dhjetëra të tjerë janë plagosur.
/abcnews.al