Autoritetet italiane kanë ndërmarrë masa gjyqësore te menjehershme ndaj personave të dyshuar për përfshirje në përplasjet e dhunshme gjatë protestave, ku u regjistruan akte plaçkitjeje, shkatërrimi të pronës dhe rezistencë ndaj forcave të rendit.
Pesë persona janë lënë në burg me vendim gjyqësor, ndërsa një tjetër është vendosur në arrest shtëpie me monitorim elektronik. Masa të posaçme janë marrë edhe ndaj të miturve: tre prej tyre janë vendosur në paraburgim pa afat, ndërsa 21 të tjerë janë dërguar në arrest shtëpie ose në struktura të drejtësisë për të mitur.
Sipas policise nëntë persona u arrestuan, 87 u denoncuan dhe 371 u shoqëruan në komisariate për verifikime. Mes personave të shoqëruar ishin 110 të mitur. Në total, policia identifikoi 4,292 persona.
Përplasjet e kësaj fundjave u shënuan në disa prej qyteteve kryesore të vendit. Në Romë, tensionet u rritën kur një grup demonstruesish refuzoi të shpërndahej, duke bërë që policia të ndërhynte me autobotë uji dhe masa të tjera për kontrollin e turmës. Dhjetëra persona u shoqëruan në komisariate për verifikime, ndërsa autoritetet ndërmorën edhe masa parandaluese.
Në Torino, protesta u përshkallëzua në përplasje të drejtpërdrejta mes demonstruesve dhe forcave të rendit. Protestuesit hodhën shishe dhe mjete piroteknike, ndërsa policia reagoi me gaz lotsjellës dhe ndërhyrje për shpërndarjen e turmës. Përplasjet shkaktuan tensione dhe bllokime të përkohshme të qarkullimit në qytet.
Ndërkohë, në Milano situata paraqitej më e qetë krahasuar me fundjavën e kaluar. Autoritetet kishin shtuar masat parandaluese dhe kishin dislokuar rreth 500 efektivë ushtarakë për të forcuar sigurinë dhe për të parandaluar përsëritjen e akteve të plaçkitjes dhe shkatërrimit të pronës.
Përplasjet ndodhën vetëm pak ditë pasi qeveria e Giorgia Melonit miratoi masa të reja për sigurinë publike dhe trajtimin e veprave penale të kryera gjatë demonstratave.
Sipas dispozitave të njoftuara nga qeveria, për pjesëmarrjen e dhunshme në demonstrata, në rrethana të caktuara, parashikohen dënime deri në pesë vjet burg dhe gjoba deri në 20 mijë euro.
Për organizimin e grupeve të përfshira në demonstrata të dhunshme, përfshirë përmes rrjeteve sociale dhe mjeteve digjitale, parashikohen dënime që mund të arrijnë deri në 12 vjet burg, në varësi të veprës penale dhe kushteve ligjore./abcnews.al


