Itali/ Shembet ura në Xhenova, 35 viktima

schedule12:53 - 14 Gusht, 2018

schedule 12:53 - 14 Gusht, 2018

Një ngjarje tragjike ka ndodhur sot në Itali. Një pjesë ure është shembur në Xhenova, duke shkaktuar një katastrofë për mjetet, që po kalonin mbi të si dhe për zonën poshtë saj. Bilanci i deritanishëm flet për të paktën 35 viktima, mes të cilëve një fëmijë 10 vjeçar, 14 të plagosur rëndë dhe disa persona që figurojnë ende të zhdukur.

Ndërkohë zjarrfikësit në Itali konfirmojnë se numri i viktimave mund të rritet, pasi disa automjete janë shtypur nga blloqet e betonit të urës që u rrëzua. Deri tani autoritetet kanë njoftuar se katër persona janë nxjerrë gjallë nga gërmadhat.

Zjarrfikësit që po punojnë në terren e krahasojnë situatën e krijuar me një ferr të vërtetë.

Mediat italiane raportojnë se nën gërmadha ka persona të bllokuar, ndërsa kreu i zjarrfikësve deklaroi se kërkimet për të mbijetuar do të vijojnë pa ndërprerje.

Pjesa e shembur e urës, me nje gjatesi rreth 100 metra,  ndodhet në autostradën A10, mbi shtratin e lumit Polcevera, pikërisht mbi një zonë shumë të populluar të qytetit me banesa dhe magazina.

Mesohet se rreth 440 persona kane mbetur pa strehe nga demtimi i objekteve poshte ures.

Kryeministri Xhuzepe Konte, zv/kryeministri Luixhi Di Maio, ministri i Brendshëm Mateo Salvini dhe ministri i infrastrukturës Tanilo ndodhen në Xhenova pas kësaj tragjedie dhe po ndjekin situatën nga afër.

Komuna e Xhenovas ka shpallur dy ditë lutjesh, të mërkurën dhe të enjten. Flamuri do të ulet në gjysmështizë.

Ura e njohur me emrin ura “Morandi” është projektuar nga inxhineri Rikardo Morandi dhe është ndërtuar në periudhën 1963 – 1967./abcnews.al