Itali-KE, lufta për buxhetin zhvendoset në 2020

schedule23:52 - 17 Qershor, 2019

schedule 23:52 - 17 Qershor, 2019

Italia dhe Komisioni Europian duket se e kanë lënë pas luftën për defiçitin buxhetor të vitit 2019. Por Brukseli kërkon nga Roma që defiçiti për vitin 2020 të mos shkojë mbi 2 për qind të XHI DI PI-së.

Italia beson se mund të plotësojë kërkesat e Komisionit Europian në lidhje me shpenzimet publike për këtë vit, por pika kyçe e negociatave mes palëve tashmë është viti i ardhshëm 2020. Brukseli ka kërcënuar Italinë me masa disiplinore që parashikojnë një mbikëqyrje më të rreptë të politikave fiskale të saj e që mund të çojnë drejt vendosjes së gjobave.

Komisioni ankohet se Roma zyrtare nuk e shkurtoi borxhin e saj publik në vitin 2018 sikurse kishte premtuar dhe konstaton se ai do të vazhdojë të rritët këtë vit dhe atë të ardhshëm nëse qeveria aktuale nuk merr masa shtrënguese. Ndërkohë, qeveria në Romë beson se defiçiti buxhetor për pjesën e mbetur të vitit 2019 do të jetë 2 për qind të prodhimit të brendshëm, një nivel i pranuar nga KE në dhjetor, por Brukseli dëshiron që i njëjti zotim të bëhet edhe për 2020-n.

Kjo ka detyruar ministrin e ekonomisë Xhovani Tria të përfshihet në një negociatë të vështirë në radhët e koalicionit qeverisës, me partinë anti-sistem Lëvizja 5 Yjet dhe atë të ekstremit të djathtë Liga e Veriut, që nuk dëshiron të firmosë shkurtimin e defiçitit për vitin e ardhshëm.

“Palët janë të hapura për të diskutuar mbi 2019-n, por nuk duan të përfshihen në debat për buxhetin e vitit të ardhshëm”, ka deklaruar një burim për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

Liga e Veriut, që la pas partnerët e 5 Yjeve në zgjedhjet euro-parlamentare, e ka kthyer reduktimin e taksave në kalë beteje në prag të hartimit të buxhetit për vitin 2020. “Vota e italianëve do të thotë se ne duhet të reduktojmë taksat”, ritheksoi të hënën kryetari Mateo Salvini gjatë një vizite në Shtetet e Bashkuara./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!