Itali, arrestohet kapitenia e anijes me emigrantë

schedule20:00 - 29 Qershor, 2019

schedule 20:00 - 29 Qershor, 2019

Autoritetet italiane kanë arrestuar kapitenen e anijes me emigrantë që lundronte prej dy javësh në ujërat e Mesdheut. Ministri i Brendshëm Mateo Salvini e akuzoi atë se kreu një akt lufte, pasi  sipas tij tentoi të sulmonte policinë.

Kapitenia e anijes me emigrantë “Sea Watch 3”, Karola Rakete u arrestua në portin italian të Lampeduzës pas thuajse dy javë përballje me policinë. Ministri i Brendshëm italian, Mateo Salvini e akuzoi atë se me anijen e saj ishte përpjekur të fundoste një varkë policie. Anija e Rakete e kishte të ndaluar ankorimin, por megjithatë ajo hyri sërish në portin e ishullit të vogël natën e së premtes. Të shtunën, ministri Salvini e quajti kapitenen një “grua gjermane të bardhë e të pasur”, që ka kryer sipas tij një “akt lufte”.

“Ajo u përpoq të fundoste një varkë me oficerë policie gjatë orëve të natës.Thonë që janë aty për të shpëtuar jetë, por rrezikuan të vrisnin këto qënie njerëzore që po bënin vetëm detyrën e tyre. Kjo është e qartë nga pamjet”, deklaroi Salvini. Sipas tij, ky është një akt kriminal i barabartë me një akt lufte. Tani, kapitenia Karola Rakete rrezikon të përballet me 10 vjet burg nëse shpallet fajtore për sulmin ndaj varkës së policisë. Ajo kishte shpëtuar 53 emigrantë në brigjet e Libisë më 12 Qershor, të cilët po lundronin me një varkë në detin Mesdhe.

Pasi ankoroi në portin italian, 31-vjeçarja gjermane u filmua teksa merrej në dorëzim nga policia. Ndërkohë, 13 emigrantë janë marrë nën kontroll nga autoritetet për shkaqe shëndetësore. Kryeministri italian Xhuzepe Konte tha në samitin e G20-s se vende të ndryshme kishin rënë dakord të pranonin 40 emigrantët e mbetur./ABC News Albania 24/7