Investigimi i “Mother Jones”/ Balla: Basha të mos fshihet

schedule21:37 - 7 Mars, 2018

schedule 21:37 - 7 Mars, 2018

Nuk i heqin asnjë presje investigimit të medias amerikane “Mother Jones”. Madje Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se kishin denoncuar prej disa muajsh transfertat e paligjshme, që pa asnjë deklarim Partia Demokratike ka bërë për llogari të lobistëve të saj përpara zgjedhjeve të 25 Qershorit 2017.

Taulant Balla: “Deklaratat e regjistruara në Departamentin Amerikan të Drejtësisë dëshmojnë se fotoja me Presidentin Trump dhe mbështetja e një numri kongresmenësh, në prag të zgjedhjeve, i ka kushtuar Partisë Demokratike me qindra mijëra dollarë, prejardhja e të cilave nuk është bërë asnjëherë e ditur nga Lulzim Basha. Megjithatë, një investigim i një prej mediave më autoritare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka nxjerrë në dritë dje të dhëna të reja skandaloze, të cilat lidhin direkt Partinë Demokratike dhe Lulzim Bashën me Kremlinin”.

Sipas këtij investigimi të bazuar mbi dokumentet zyrtare të Departamentit Amerikan të Drejtësisë, Nick Muzin, lobuesi kryesor i demokratëve në SHBA, është paguar jo vetëm nga Partia Demokratike, por edhe nga një kompani fantazmë e regjistruar në Skoci, e quajtur “Biniatta Trade”.

Taulant Balla: “Kontrata e depozituar në Departamentin e Drejtësisë nuk lë vend për dyshime. “Biniatta” ka paguar 150 mijë dollarë direkt për llogari të Partisë Demokratike si kompensim shpenzimesh për Muzin.
Në vijim janë paguar edhe tre këste të tjera me nga 150 mijë dollarë secila, si dhe një pagesë fillestare prej 500 mijë dollarësh, në total 1 milion dollarë.
Por, kush është ky “bamirës” i fshehur i Lulzim Bashës”?

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste citon investigimin e “Mother Jones”, sipas të cilit, pronarët e vërtetë të “Biniatta Trade” janë dy shtetas rusë. Evgeni Sheremetijev, njëri prej ortakëve, ka të regjistruar në Rusi një kompani shërbimesh ligjore dhe një numër kompanish të tjera shërbimesh.

Të dhënat tregojnë se ai, duke shfrytëzuar lidhjet e tij të ngushta me Kremlinin, ka fituar një numër tenderash të qeverisë ruse. Pra “shërbimet e tij ligjore” janë pajtuar nga vetë qeveria ruse, duke sjellë për Sheremetijevin përfitime të jashtëzakonshme.
Ortaku i dytë quhet Konstandin Ferulev, gjithashtu pronar i një numri kompanish në Rusi. Reporteri amerikan tentoi të shkonte në zyrën e tij të regjistruar në një qiellgërvishtës në Moskë, por zbuloi se ajo mund të aksesohej vetëm përmes një hyrje private.

Taulant Balla: “Por, kjo nuk është e gjitha. Të dy këta biznesmenë të fuqishëm rusë, me kompani të regjistruara në parajsat fiskale, kanë ngritur partneritete të tjera edhe me personazhe të tjerë të lidhur drejtpërsëdrejti me Kremlinin.
Njëri prej ortakëve të tyre quhet Leriam Dvorkin, një shtetas rus me banim në San Françisko, por që në jetëshkrimin e tij të pasur përfshin edhe shumë vite punë në pozicione drejtuese të kompanisë së gazit dhe naftës Gazprom”.

Gazprom është një kompani e kontrolluar drejtpërsëdrejti nga shteti rus.
Një tjetër partner është 35-vjeçari Juri Ivanov, me banim në Shën Petërburg edhe ai një personazh i lidhur me politikën në Rusi.
Përballë këtyre fakteve ekzistojnë dy hipoteza, për të cilat Partia Demokratike ka detyrën ligjore dhe morale që të përgjigjet përpara shqiptarëve, sipas Taulant Ballës.

Taulant Balla: “Hipoteza e parë është që paratë për lobimin e PD në Uashington nuk janë paguar nga ajo vetë, por nga Moska. Nëse kjo është e vërtetë, kjo do të përbënte një precedent tmerrësisht të rrezikshëm të ndërhyrjes së Kremlinit në politikën shqiptare.
Hipoteza e dytë, njësoj skandaloze, është që paratë janë paguar nga Partia Demokratike, por janë përdorur biznesmenët rusë për të fshehur prejardhjen e tyre”.

Nëse kjo është e vërtetë, atëherë socialistët i kërkojnë përsëri Partisë Demokratike
të japë shpjegime se si ka vendosur kontakte të drejtpërdrejta me njerëzit e besuar të qeverisë ruse.

Taulant Balla: “Por mbi të gjitha, PD duhet të përgjigjet:
Çfarë interesi kanë biznesmenët me lidhje që të çojnë në Rusi?
Që të përfshihen në betejat politike të një vendi të vogël, aq larg sferës interesit të Rusisë, siç është Shqipëria?
Çfarë u ka premtuar Lulzim Basha rusëve, për të fituar mbështetjen e tyre financiare dhe politike”?

Taulant Balla hedh poshtë çdo pretendim se pas këtij artikulli fshihet Partia Socialiste. Madje sipas tij, mediat ndërkombëtare prej kohësh kanë raportuar ndërhyrjet e bujshme të Rusisë në Ballkan. Moska ka shtrirë tentakulat e saj në vendet fqinje, në Serbi, në Mal të Zi apo në Maqedoni tha Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste.

Taulant Balla: “Por mesa duket, Shqipëria nuk ka qenë imune nga kjo shtrirje e interesave, që nuk kanë të bëjnë asgjë me të ardhmen europiane që shqiptarët aspirojnë.
Provat tregojnë se Partia Demokratike është aleatja më besnike e Rusisë në vendin tonë.
Për të gjitha këto, Lulzim Basha duhet të japë llogari”!/abcnews.al