Interi e Roma ndahen në paqe, fiton mërzia në “San Siro”

schedule22:46 - 6 Dhjetor, 2019

schedule 22:46 - 6 Dhjetor, 2019

Interi dhe Roma treguan limitet e tyre sonte, në një ndeshje që u mbyll në barazim pa gola. Zikaltrit, kryesues në Serie A, i lanë terren verdhekuqve që në fillim, por kishin mundësinë më të mirë të shënimit me Belgun Romelo Lukaku.

Gjithsesi Mirante tregoi vlerat e tij dhe e ndali sulmuesin e Interit. Handanovic në krahun tjetër nuk u vu në vështirësi dhe e mbajti rrjetën e paprekur. Roma kishte kontrollin e lojës, por pa Dzeko në fushë e kishte të vështirë të ishte e rrezikoshme.

Në pjesën e dytë ishte Interi disi më lart, por jo mjaftueshëm për të bërë diferencën dhe për të shkuar te goli që do të vendoste fituesin. Asnjëra skuadër nuk dëshironte të humbte dhe minutat e fundit nuk ishin të mjaftueshme për të luajtur gjithçka për gjithçka.

0-0 dhe nga një pikë për të dyja skuadrat. Interi mbetet në krye, me 38 pikë dhe shpreson që Juventusi të ndalet nesër me Lazion. Roma ngjitet për momentin në vendin e katërt, me një pikë më shumë se Cagliari, surpriza e deritanishme e Serie A.

SERIE A / JAVA 15
INTER-ROMA 0-0

INTER (3-5-2): Handanovic; Godin, De Vrij, Skriniar; Candreva (Lazaro 45+2′), Vecino, Borja Valero (Asamoah 72′), Brozovic, Biraghi (D’Ambrosio 88′); Lukaku, Lautaro. Trajner: Conte

ROMA (4-2-3-1): Mirante; Santon (Spinazzola 16′), Mancini, Smalling, Kolarov; Veretout, Diawara; Mkhitaryan (Florenzi 89′), Pellegrini, Perotti (Dzeko 67′); Zaniolo. Trajner: Fonseca

Kartonë të verdhë: Godin 61′, Lazaro 62′, Brozovic 80′ / Mancini 77′