Një duel skuadrash dhe po ashtu mes kuqezinjve. Dy mesfushorë shqiptarë ishin përballë në sfidën mes Spartës dhe Interit në Pragë, të vlefshme për javën e parafundit në grupe në Ligën e Kampionëve.
Për t’i parë kishin udhëtuar edhe trajneri I kombëtares, Silvinjo, dhe ndihmësit e tij. Kristian Asllani dhe Qazim Laçi ishin titullarë dhe fitues doli I pari, e kjo sepse italianët ia dolën minimalisht 1-0.
Vendosi Lautaro Martinez me golin e shpejtë në minutën e 12-të, duke barazuar Adrianon si shënuesit më të mirë të Interit në Champions.
Të dy me nga 14 rrjeta, ndërsa argjentinasi është I shtati shënues më I mirë zikaltër për të gjitha kohët, me 139 rrjeta.
Asllani dhe Laçi luajtën mirë, ndonëse nuk ishin të vetmit.
Mesfushori interist mori vlerësime pozitive nga mediat sportive në Itali dhe në kontinent, si Eurosport, Skaj Sport apo “gol.com”, duke pasur kryesisht notën 6, që cilësohet si inkurajuese.
Kristiani ishte I përzgjedhur për të folur për kamerën e klubit pas ndeshjes.
“Duhej të vinim këtu dhe të bënim këtë që bëmë. Morëm tre pikët që ishte gjëja më e rëndësishme, sepse duhet të jemi sa më mirë në renditje. Na mungon ende diçka, por jemi të kënaqur. Duhej shumë përqëndrim në këtë ndeshje. Sidomos në pjesën e parë e mbajtëm ne topin, dhe ata u mbrojtën, por duhej të ruheshim nga kundërsulmet. Fakti që po luaj më shumë më ndihmon, sepse kam qendruar shumë në stol. Këto minuta më bëjnë mirë. Jam I kënaqur dhe I lumtur që mund të luaj dhe të vesh këtë fanelë. Të shohim sesi do të shkojnë gjërat, por për momentin jam I përqëndruar në ndeshjen e radhës”.
Interi është tani në vendin e katërt në renditjen e Championsit me 16 pikë, po aq sa Arsenali I vendit të tretë, dhe I kualifikuar për më tej. Gjithsesi, synimi është që ta mbyllë fazën e grupeve ndër 8 të parët për të qenë i kualifikuar direkt për në të tetat e finaleve, dhe jo për të luajtur në plej of.