Më qartë se kaq nuk mund të thuhet. Kristian Asllanit I është bërë e qartë edhe publikisht se nuk ka vend tek Interi I ri I trajnerit Kristian Kivu.
Drejtori sportiv zikaltër, Piero Auzilio, ka folur qartë për mediat në Itali se mesfushorii kombëtares shqiptare nuk është pjesë e planeve për të ardhmen, edhe pse ishte titular në të gjitha ndeshjet e Kupës së Botës për Klubet.
“Asllani është një rast disi e veçantë, sepse mendojmë që pas 3 vjetësh këtu, është më e drejtë edhe për të që të provojë një mundësi tjetër. Këtë e kemi thënë hapur, ia kemi thënë lojtarit, ia kemi thënë agjentit të tij. Diku tjetër ndoshta mund të luajë me më shumë vazhdimësi. Kjo, edhe pse ai mbetet 100 për qind lojtar i Interit, është lojtar i kombëtares shqiptare, një lojtar i fortë. është e drejtë që të ketë ambiciet e tij. Tek Interi, me ndryshimet e bëra, me ardhjen e kroatit Suçiç, me shtimin e lojtarëve ofensivë, mendoj se për të është më mirë një projekt jashtë Italisë”.
Për momentin, ende nuk ka asgjë konkrete për të ardhmen e 23-vjeçarit, ndonëse duket se Interi mendon se është më mirë të shkojë në Spanjë tek Betisi.
Sipas logjikës, klubi lombard e sheh me më shumë interes marrëveshjen e mundshme me klubin e La Ligës, I cili pranon të paguajë për kartonin, dhe mbetet vetëm të shihen klauzolat, pra nëse blerja mund të ndodhë këtë verë, apo verën e ardhshme.
Gjithsesi, sipas mediave në Apenine, për Asllanin ka interesim edhe nga klube të Serisë A si Fiorentina, Xhenoa apo Bolonja.
Në tre sezone, ylli kuqezi ka luajtur 99 ndeshje për zikaltërit, duke shënuar 5 gola e shërbyer 4 asistë, por kurrë nuk ka qenë lojtar formacioni.


