“Injoranca vret më shumë se Covidi”, në protestën e studentëve dhe pedagogë, bllokohet rruga e “Durrësit”

schedule11:28 - 2 Nëntor, 2020

schedule 11:28 - 2 Nëntor, 2020

Dhjetëra studentë janë mbledhur pranë Ministrisë së Arsimit për të protestuar kundër masave të marra nga Komiteti Teknik i Ekspertëve për mbylljen e Universitetin dhe Konvikteve për shkak të epidemisë nga Covid-19.

Siç raporton gazetari Maks Rama për ABC, pjesëmarrja e Studentëve në protestë është e konsiderueshme. Ata shihen të mbajnë pankartat e tyre ku në disa prej tyre shkruajnë se;

“Injoranca vret më shumë se Covidi”.

LEXO edhe: Studentët protestë përpara Ministrisë së Arsimit, policia: Shpërndahuni, do zbatojmë ligjin!

Një prej pedagogëve në mbështetje të studentëve në protestë, u shpreh për ABC se:

“Ne do të gjendemi pranë studentëve në këtë situatë. Protesta vjen pas vendimit të papritur të komitetit të ekspertëve për mbylljen e universiteteve të cilët kanë marrë vendimin pa u konsultuar me ekspertët ndërkombëtarë.

Është situatë e vështirë pasi studentët kanë vështirësi në infrastrukturë dhe jo të gjithë mund të kenë akses për të zhvilluar mësimin online. Ndërkohë që baret qëndrojnë hapur, pishinat gjithashtu, dhe mësimi nuk po zhvillohet as në mënyrë hibride ashtu siç rektorati tha në fillimi të vitit akademik se kishin marrë masat, gjë që nuk ka ndodhur.

Ndërkohë edhe kostot e pagesave janë të larta, studentët kanë probleme. Është surprizuese për mua pjesëmarrja, shumëkush mund të ndjehet i frikësuar prej covidit por studentët kërkojnë dinjitet, kërkojnë ekonomi”.

Policia sakaq ndodhet në gatishmëri dhe ka shtuar praninë e saj pranë Ministrisë së Arsimit, pasi pritet që protestës ti bashkohen e dhe studentë nga Universitete të tjera.

Aksi rrugor në rrugën e Durrësit, është bllokuar nga protesta.

Më herët, studentët kanë deklaruar se edhe pse sot ka qenë dita e parë e mësimit, atyre nuk u ka ardhur asnjë mesazh për mënyrën se si do të zhvillohet mësimi online.

Sa i përket banesave që studentët kanë marrë me qira, pagesat që kanë kryer për to, nuk mund ti marrin më mbrapsht, ndërsa pagesat e kryera për konviktet, do të jenë efektive për muajin dhjetor.

Një tjetër pedagoge dhe aktiviste për të drejtat e studentëve u shpreh se:

“Unë gjithmonë iu bashkohem protestave të studentëve. Jam prind dhe jam nënë në radhë të parë. Kjo Shqipëri, vajzës sime nuk i ofron asgjë. Ministria politike ka marrë vendimin që studentët nuk mund të kthehen në auditore.

Studentët i janë drejtuar drejtuesve të Universitetit për tarifat. Mësimi online nuk është efikas. Duhet të kuptohet se kemi familje që jetojnë me ndihmë ekonomike të cilët nuk kanë mundësinë të paguajnë tarifat telefonike. Unë jam aktiviste për mbrojtjen e studentëve, Shqipëria është e vjedhur nga politika por ka bukuri natyrore dhe pasuri pa fund. I bëjmë thirrje policisë së shtetit të distancohet nga dhuna”.

Në ditët e sotme rreth 130 mijë studentë duhet ti drejtoheshin auditorëve por kjo nuk ka ndodhur pasi rritja e numrit të infektimeve në vend është shtuar sidomos në ditët e fundit.

Kjo ka bërë që ekspertët e shëndetit të shtyjnë me të paktën 1 muaj fillimin e mësimit në auditorë nga Universitetet.

Pas këtij vendimi studentët kanë shprehur kundërshtinë e tyre për zhvillimin e mësimit online pasi sipas tyre degë të posaçme, siç është ajo e mjekësisë është gati e pamundur që mësimi të zhvillohet online.

Përpos kësaj, studentët kanë pretendime edhe për tarifat që duhet të kryejnë, ndërsa shprehen se jo të gjithë kanë mundësi të zhvillojnë mësimin online.

n.d./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!