Kryeministri Edi Rama mori pjesë në eventin kushtuar modernizimit të infrastrukturës nëntokësore në zonat urbane, ku në fokus ishte sistemimi i kabllove ajrore dhe strukturave të improvizuara që dëmtojnë pamjen e qyteteve, kalimi gradual drejt infrastrukturës nëntokësore, si dhe roli i bashkive në këtë proces.
Gjatë fjalës së tij, Rama e cilësoi nismën si një hap të rëndësishëm drejt transformimit urban dhe përmirësimit të standardeve të qyteteve shqiptare.
“Është një nismë që vjen në kohën e duhur dhe kërkon një organizim dhe disiplinë të fortë për t’u kryer me sukses. Është tani e mundur që të pastrojmë qytetet nga gjithë ato fije plastike merimangash të një kohe që ka pasur pasojat e veta. Pjesa dërrmuese e këtyre kabllove janë pa funksion, por qëndrojnë aty si një shenjë e harresës dhe e mungesës së vëmendjes”, u shpreh kryeministri.
Rama bëri të ditur gjithashtu se qeveria po përgatitet të lançojë në ditët e para të korrikut një program të ri me rëndësi strategjike për zhvillimin e komuniteteve dhe territorit.
“Dua të ndaj edhe një tjetër nismë, të shtrirë në një sërë drejtimesh me natyrë strategjike për komunitetet dhe vendin, që do ta lançojmë në 10-ditëshin e parë të korrikut. Bëhet fjalë për programin e Rilindjes Kombëtare 2.0”, deklaroi ai.
Sipas kryeministrit, programi po përgatitet në bashkëpunim me bashkitë dhe nën drejtimin e ministrit Ervin Demo, me synimin për të adresuar problematikat e mbetura në infrastrukturë dhe shërbimet publike.
“Në dialog me bashkitë po përgatitet në udhëheqjen e ministrit Demo dhe synon të adresojë disa elementë që i ka ardhur koha të marrin një drejtim shterues. Të adresojë të gjitha pjesët e mbetura të painvestuara. Janë disa pjesë që, ndryshe nga çfarë hidhet e përdridhet në diskursin negativ, janë shumë më pak se pjesët e investuara të sistemit të kanalizimeve. Programi do të adresojë nevojën për të bërë ndërhyrje gjithëpërfshirëse”, tha Rama.



