Inerte në vende pa license/ Klosi: Gjobë deri në heqje të lejes së ndërtimit

schedule13:14 - 21 Maj, 2018

schedule 13:14 - 21 Maj, 2018

Ministri i Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi dhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Arbian  Mazniku inspektuan situatën në liqenin e Kodër Mëzezit, një hotspot i mbetjeve inerte në qarkun e Tiranës. Nga kjo pikë problematike ministri Klosi paralajmëroi masa të ashpra për kompanitë e ndërtimit që shkelin ligjin.

Gjoba deri në heqje të lejes së ndërtimit paralajmëron ministri i Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi për të gjitha kompanitë që hedhin mbetjet inerte në vende depozimi të palicensuara. Ministri Klosi bashkë me nënkryetarin e Bashkisë së Tiranës Mazniku, ishin në liqenin e Kodër Mëzezit ku prej vitesh janë grumbulluar mbetje të tilla.

“Inspektoriati i Mjedisit së bashku me inspektoriatin e bashkisë kanë penalizuar mbi 30 subjekte të cilët janë kapur në shkelje të ligjit, por kjo është një masë e pamjaftueshme. Do të vazhdojmë me masa më të ashpra duke shkuar deri në heqjen e lejes për ndërtim të këtyre subjekteve pasi nuk mund të tolerojmë që mjedisi të trajtohet si mall pa zot.”

Rregullim të kësaj problematike sipas nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës Arbian Mazniku është parashikuar në planin urbanistik, por ministri Klosi kërkoi edhe ndihmën e policisë.

“Ky është një problem i cili tashmë nëpërmjet Planit Urbanistik të qytetit, të miratuar 1 vit më parë, por edhe një sërë rregullimesh të tjera që janë bërë, është një çështje e sistemuar dhe tashmë duhet vetëm që aktorët e caktuar, të cilët duan ta kryejnë këtë lloj aktiviteti, apo i duhet ta kryejnë këtë lloj aktiviteti, të ndjekin rregullat dhe procedurat e duhura dhe të mos i hedhin mbetjet si mall pa zot në natyrë”

“Kjo punë nuk mund të zgjidhet vetëm me Inspektoratin e Mjedisit apo vetëm me inspektorët e bashkisë. Ne duam shumë policinë e rendit të jetë në krye të kësaj detyre, por më shumë se kaq duam qytetarët të cilët nuk do të duhet të lejojnë që biznese të papërgjegjshme qofshin të mëdha apo të vogla,me emër të madh apo edhe të panjohura të bëjnë këtë veprimtari kriminale”.

Klosi dhe Mazniku gjithashtu i kërkuan qytetarëve të bashkëpunojnë dhe të denoncojnë çdo rast të shkeljes së ligjit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!