Ndërsa numëron 430 të vdekur dhe 150 të humbur nga cunami i së shtunës, qeveria indoneziane ka njoftuar instalimin e një sistemi të ri alarmi që do të sinjalizojë në kohë rrezikun e një dallge gjigante. Projekti do të nisë vitin e ardhshëm, por ekspertët shprehen skeptikë mbi rezultatet e tij.
Autoritetet në Indonezi kanë deklaruar se do të ndërtojnë një sistem të ri paralajmërimi për cunami, pak ditë pasi vala gjigande që përfshiu qytezat bregdetare të ishujve Java dhe Sumatra vrau rreth 430 persona. Sipas njoftimit, instalimi i strukturës së re do të nisë vitin e ardhshëm dhe mekanizmi i saj pritet të funksionojë duke llogaritur përmasat e dallgëve. Sistemi aktual i teknologjisë dështoi në parashikimin e cunamit që shkatërroi qytetet që shtrihen në ngushticën Sunda.
Ai është ngritur për të monitoruar tërmetet, por jo lëvizjet sizmike nënujore apo shpërthimet vullkanike, që mund të shkaktojnë dallgë të mëdha. Mendohet se aktiviteti i vullkanit Anak Krakatau shkaktoi lëkundjet nënujore, duke nxitur dhe cunamin e së shtunës.
Autoritetet vendase bëjnë të ditur se rreth 150 persona vazhdojnë të konsiderohen të humbur, ndërsa 16 mijë të tjerë janë zhvendosur. Ndërkohë, ekipet e shpëtimit po udhëtojnë nga fshati në fshat dhe po kërkojnë për të mbijetuar nën rrënojat e shtëpive në zonat më të prekura nga agresioni i natyrës.
Për shkak të mungesës së fondeve, por edhe të akteve vandale ndaj strukturave të sistemit aktual, vendi aziatik ka qenë pa një sistem alarmi për tsunami që prej vitit 2012. Por ekspertët deklarojnë se edhe nëse do të kishte patur një sistem të tillë, koha për lajmërimin dhe evakuimin e popullsisë është minimale duke patur parasysh se sa afër vullkani Anak Krakatau ndodhet me vijën bregdetare./abcnews.al



