Sondazh

Grushtat në protestë, a shënojnë fundin e saj?

Loading ... Loading ...
 

Incidenti në avion e Easyjet/ Aeroporti i Malpenses në Milano u mbyll për një orë

schedule15:35 - 11 Shtator, 2026

schedule 15:35 - 11 Shtator, 2026

Aeroporti ndërkombëtar i Malpensës në Milano u mbyll për rreth një orë mbrëmjen e të enjtes pas një incidenti në një avion të kompanisë britanike EasyJet, i cili ishte nisur drejt Pragës.

Avioni, një Airbus A320 me 146 pasagjerë në bord, ishte duke lëvizur në pistë përpara ngritjes, kur në kabinë u raportua prani tymi. Piloti aktivizoi menjëherë sinjalin e emergjencës duke pezulluar përkohësisht fluturimin.

Sipas të dhënave paraprake, tymi mund të jetë shkaktuar nga shpërthimi i një baterie portative, brenda bagazhit të dorës së njërit prej pasagjerëve. Megjithatë, shkaku i incidentit ende nuk është konfirmuar zyrtarisht dhe hetimet vijojnë.

Për shkak të emergjencës, u aktivizuan procedurat e evakuimit dhe pasagjerët u detyruan të largoheshin nga avioni përmes rrëshqitëseve të fryra të emergjencës.

Dy pasagjerë pësuan lëndime të lehta gjatë evakuimit.

Incidenti shkaktoi ndërprerjen e përkohshme të operimeve në aeroportin e Malpensës. Në orën 18:35, sipas orës lokale, u rihap pista 35L, ndërsa pista 35R mbeti e mbyllur për një periudhë më të gjatë, në mënyrë që të largoheshin avionët e prekur dhe të kryheshin kontrollet e sigurisë, përfshirë pastrimin e zonës së incidentit. Funksionimi i plotë i aeroportit u rikthye rreth orës 19:30, pas afro një ore ndërprerjeje. Autoritetet Italiane vijojnë hetimet për të përcaktuar me saktësi shkakun e incidentit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!