Nuk është sukses që largon çdo dyshim.
Pasi ke humbur radhazi me dy rivalë të mëdhenj dhe direktë në Champions dhe kampionat, nuk mund të të bindë fitorja me një rival relativisht modest, edhe kur mund të jetë tepër e thellë.
Barcelona vërtet shkatërroi Alaveshin me shifrat 6-1 në ligën spanjolle, dhe heronjtë si Lamin Jamal e Rafinja shkëlqyen fort, por disfatat ndaj Paris SG dhe Realit nuk do të harrohen lehtë.
Gjithsesi, fitorja është ilaç, dhe “blaugranët” kishin nevojë të domosdoshme pikërisht pas “javës së zezë”.
Rafinja kaloi Barçën në epërsi në “Kamp Nou” që në 8’, pastaj Fermin Lopez dyfishoi shifrat në 23’ dhe Rafinja kompletoi dygolëshin në 41’.
Lamin Jamal e nisi festivalin e tij në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, dhe kampionët e Spanjës arritën në epërsinë 4-0 për 38 minuta.
Pas pushimit shënuan sërish Jamal në 64’ dhe anglezi Gordon në të 81-ën, përpara sesa Alavesh të realizonte golin e vetëm pak më vonë.
“Reagim total, – titullon “El Mundo Deportivo”, – lideri I kampionatit I dha fund javës së zezë me një shfaqje të futbollit sulmues me goleadë!”
I njëjti titull edhe nga e përditshmja tjetër katalanase, “Sport”: Reagim madhështor! Pas një jave të ndërlikuar Barça largon dyshimet dhe kthehet në versionin e saj më të mirë!
Barcelona mbetet në krye të La Ligës me 30 pikë në 11 ndeshje, dy më shumë se Atletiko dhe 6 mbi Realin, por diferencën më të madhe e ka në potencialin ofensiv.
“Blaugranët” e trajnerit Hansi Flik kanë 46 gola të shënuar, më shumë se 4 për ndeshje, dhe baraz me sasinë e përbashkët të rrjetave të dy rivalëve madrilenë.


