Një 26-vjeçar është arrestuar në Greqi, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, i dyshuar për vrasjen e një shtetasi shqiptar në Selanik, në vitin 2020.
Gjatë kësaj faze të operacionit të koduar “The Wanted”, u arrestua provizorisht në Greqi, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar, Romarjo Tahiri, 26 vjeç, i lindur në Korçë.
Në vitin 2021, Gjykata e Korçës i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Nga hetimet dyshohet se në vitin 2020, në Selanik, Tahiri, në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë, kanë vrarë shtetasin shqiptar Spartak Dervishi, të cilin fillimisht e kanë dhunuar dhe më pas e kanë goditur me mjete prerëse.
Familjarët e viktimës kanë bërë kallëzim në Korçë për ngjarjen e ndodhur në Selanik dhe veprimet janë koordinuar me autoritetet greke.
Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Athinën për të finalizuar procedurën për ekstradimin e 26-vjeçarit në Shqipëri.


