Inaugurohet aksi 16 kilometra Lin-Pogradec

schedule11:49 - 1 Shtator, 2018

schedule 11:49 - 1 Shtator, 2018

Pas vitesh i rrënuar, aksi prej 16 kilometrash që lidh Linin me Pogradecin ka përfunduar. Në inaugurimin e punimeve në këtë rrugë ishte i pranishëm ministri Gjiknuri.

Kanë përfunduar punimet në rrugën që lidh Linin me Pogradecin. Rruga kishte mbetur për disa vite pa zgjidhje edhe pse e hapur si kantier ndërtimi. Për inaugurimin e punimeve në aksin 16.5 kilometra shkoi vete Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri bashkë me Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar Afrim Qendro.
Gjiknuri vlerësoi transformimin që i ka sjellë zonës ky aks rrugor i shoqëruar edhe me ndërhyrjen për pastrimin e vijës së liqenit nga ndërtimet pa leje.

“Po të kthejmë kokën përpara pak vitesh, kjo pamje e liqenit, pra mbi 16 kilometra ka qenë totalisht tjetër. Një rrugë e ngushtë, e shkatërruar dhe një liqen tërësisht i zënë nga ndërtimet pa leje. Sot që flasim kemi një breg të liqenit tërësisht të transformuar, një nga veprat më të bukura. Kushdo që do të vijë në Pogradec, një qytet që ka shumë atraksione turistike do të shohë një nga rrugët më të bukura të realizuara në vendin tonë. Ky do të jetë standardi i qeverisë shqiptare për të gjitha rrugët e reja dhe kantieret që ne po hapim dhe që do ti përfundojmë në këto 3-4 vitet e ardhshme të qeverisjes sonë”.

Ndërsa Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Qendro, sqaroi se kjo rrugë është e kategorisë C1 me të gjitha elementët e sigurisë rrugore.
Gjiknuri dhe Qendro, më pas inspektuan edhe punimet që po vazhdojnë në tunelin panoramik në hyrje të qytetit të Pogradecit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!