Ilir Meta është një nga miqtë, të cilin Baton Haxhiu e ka humbur gjatë jetës publike të tij. Deklaratën analisti e bëri gjatë emisionit “Provokacija” të Mustafa Nanos. Ai tha se shpresonte që kur Meta u bë President të largohej prej mëkateve.
“Mua më vjen keq që jeta publike rrugës më largon nga miqtë, ose mi humb miqtë, por mes të vërtetës dhe miqësisë, unë jam për këtë të parën. Nuk duhet miqësia aq nëse njeriu nuk ndërron vendin ku bën më mirë për ne.
Meta është një nga miqtë që kam humbur. E them me kënaqësi tash se është që po humb një mik të tillë. Kam shpresuar se kur po shkon President do ikë nga mëkatet”, tha Haxhiu.
Sipas Haxhiut, Meta ka keqpërdoruar postin e Presidentit, me të cilin siç tha ai, populli i “amnistoi” mëkatet.
“Gabimi më i madh i tij është që fakti që shoqëria shqiptare me një mënyrë apo tjetër ja ka “amnistuar” mëkatet duke e bërë president në mënyrën më brutale e ka keqpërdor këtë post. E para njeriu kur e di të vërtetën për veten, për të kaluar politikën, kur hyn në një post kaq të shenjtë siç është presidenca kërkon falje me vete dhe hyn me një ndërgjegje tjetër personale. Hiqe politikën. Nuk ka post më honorik se Presidenti. Nuk e riciklon veten në postin e Presidentit me mëkatet e së kaluarës dhe këto mëkate e kanë bërë që të ndihet ashtu dhe të del në konferencë për shtyp duke treguar se është rrethuar me njerëz pa ndërgjegje, njerëz që nuk e këshillojnë mirë, njerëz të cilët ia kanë bërë atë që quhet varr politik. Një njeri që nuk e ka kuptuar postin honorifik të tij dhe të shqiptarëve duke bërë atë fitnen religjioze siç thuhet në islam dhe ajo fitne e ka krijuar funksionin e pandërgjegjshëm. Funksioni i pandërgjegjshëm e ka treguar fotografinë e Ilir Metës”, tha Haxhiu.
Ai foli edhe për ish-kryeministrin Berisha. Për të tha se nuk mund të jenë miq pasi ish-kryetari i PD-së projekton vetëm armiq.
“Berishën nuk e kam pasur mik. Kam pasur një kontakt më shumë dialogues. Edhe për shkak të miqësisë së fortë që kam me Blendin dhe me Sandrin. Nuk kam pasur takime personale me Berishën. Nuk mund të jem mik me Berishën për arsye se Berisha projekton armiq. Edhe mikun, edhe djalin, edhe vëllain. Këdo ai projekton një armik për të shëruar veten. Kjo është një gjendje shpirtërore vetëm ai e di pse projekton një armik. Berisha nuk mund të jetojë pa projektuar armikun para vetes me të cilin shërohet për arsye se ka energji të tepërt për të keqen”, tha Haxhiu./abcnews.al