Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj deklaroi sot pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave se qeveria ka vendosur akordimin e një bonusi të ri për pensionistët, atë të verës, me vlerë 5 mijë lekë, i cili do të nisë të shpërndahet që nga dita e nesërme.
Në nisje të deklaratës së saj, ministrja shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave të aksidentit të ndodhur në autostradën Tiranë–Durrës, ku një minibus i linjës Berat–Tiranë doli nga rruga.
Ibrahimaj theksoi se vendimi për bonusin e verës vjen si rezultat i performancës pozitive të ekonomisë dhe rritjes së të ardhurave buxhetore, të cilat, sipas saj, po rishpërndahen për mbështetjen e shtresave në nevojë.
“Që prej fillimit të këtij mandati kemi deklaruar se të ardhurat shtesë të gjeneruara nga performanca pozitive e ekonomisë shqiptare do të shkojnë në mbështetje të pensionistëve. Duke parë ecurinë e të ardhurave gjatë pesëmujorit të parë të vitit dhe të ardhurat e mbledhura nga administrata tatimore dhe doganore, vendosëm të ndërmarrim këtë masë mbështetëse”, tha Ibrahimaj.
Ajo bëri të ditur se bonusi i verës do të përfitohet nga të gjitha kategoritë e 777.200 pensionistëve, përfshirë 656.325 pensionistë të pleqërisë dhe pensionit social, 65.636 përfitues të pensionit të invaliditetit, 48.400 përfitues të pensionit familjar, si dhe 6.840 përfitues të trajtimeve të veçanta financiare.
Sipas ministres, efekti financiar i kësaj mase është rreth 3,7 miliardë lekë, ndërsa shpërndarja do të nisë menjëherë.
“Rreth 30–40 mijë pensionistë që e marrin pensionin më 1 korrik do të përfitojnë që nesër edhe bonusin prej 5 mijë lekësh së bashku me pensionin”, u shpreh ajo.
Ibrahimaj shtoi se qeveria do të vijojë politikat e mbështetjes për pensionistët, duke synuar që rritja ekonomike të reflektohet drejtpërdrejt në rritjen e të ardhurave të tyre.



