“Ia mbushi shejtani”, reagon Cungu: Batutë, rrezikova veten për Vllazninë

schedule09:58 - 26 Janar, 2020

schedule 09:58 - 26 Janar, 2020

Një deklaratë e Armando Cungut në fillim të kampionatit solli shumë polemika. I ftuar në emisionin “Rubrik Sportive” në RTSH, trajneri shkodran komentoi paraqitjen e brazilianit Hygor, i cili shënoi një gol nga distanca. Pavarësisht kësaj, për Cungun paraqitja në atë ndeshje nuk ishte në nivel.

“Ishte pika më e dobët e Vllaznisë. Megjithëse nuk duhet të flasim para kohe, pasi është java e parë. Unë nuk pashë asgjë të duhur tek ai. Në Shkodër i thonë ‘ia mbush shejtani’ dhe i dha tri pikë. Pas ndeshjes ai tha vetë: ‘Isha me pushime dhe më thanë hajde në Shkodër’”, deklaronte asokohe Cungu, të cili vetë braziliani i është përgjigjur.

Hygor, duke festuar me Gilman L:iken dhe Ardit Krymin

Pas ndeshjes së djeshme, Vllaznia-Laçi, trajneri shkodran i është rikthyer së njëjtës temë. Sigurisht kanë qenë gazetarët që e kanë ngacmuar dhe Cungu është shprehur kështu: “Mua nuk më shqetëson aspak, mua më shqetësojnë njerëzit që nuk e kuptojnë se çfarë është futbolli apo që kanë probleme të tjera me veten.

Më shqetësoni ju gazetarët që nuk arrini të shikoni ekzaktësisht idenë dhe kontekstin e asaj se çfarë kam thënë me zë e figurë. Unë atë ditë kam thënë në një studio televizive dhe e pranoj sërish, lojtari ndoshta jo në ditën dhe formën më të mirë, me një goditje i dha fitoren Vllaznisë. Në Shkodër është një proverb, që edhe ju si shkodranë duhet ta dini.  E kam thënë edhe që është herët për të paragjykuar çdo lojtar apo prurje të Vllaznisë.  Më shumë ishte një batutë humoristike, jo për të fyer futbollistin. Ju bini pre e disa njerëzve që nuk kanë as nivelin më të vogël dhe unë nuk e kam ndërmend të bie në atë nivel”.

Armando Cungu, gjatë ndeshjes Laçi-Tirana (©photosport.al Instragram)

EMOCIONET – “Normalisht kam emocione, nuk mund të bëj hipokritin. Këtu është qyteti im, është zemra ime, këtu kam luajtur futboll, këtu kam dalë.  Këta tifozë më kanë përkrahur, kam luajtur gati 10 vite me Vllazninë, po kështu si trajner kam kontribuar në gjendje lufte. Shumëkush ndoshta nuk ka dashur ta dijë, por realisht kam punuar me mish e me shpirt deri edhe në rrezikun tim, për të mbrojtur Vllazninë, ngjyrat e saj dhe për ta mbajtur në ligë. Ka njerëz që kanë mendime të tjera, është e drejtë e tyre. Unë vazhdoj përpara, jam shumë korrekt me të gjithë njerëzit që kam punuar, kështu që nuk më shqetëson asgjë

Emocionet janë, e thashë, pasi vij në qytetin tim, vij kundër historisë time si futbollist dhe si trajner, ndaj nuk është e lehtë të zbresësh në Loro Boriçi, këtë tempull të futbollit shqiptar”. Laçi i Cungut doli dje me një pikë nga stadiumi “Loro Boriçi” dhe tani mendon për ndeshjen e radhës, këtë herë në shtëpi dhe ndaj një ekipi si Skënderbeu. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!