Real Madrid luan nesër finalen e radhës për garën e titullit kampion me Barcelonën dhe Atletico Madrid. Para kësaj sfide në konferencë për mediet foli trajneri i “Los Blancos”, Zinedine Zidane. Francezi e la të paqartë të ardhmen e tij dhe u shpreh se ky nuk është sezon i keq për klubin “Merengues”.
“Granada ka pasur një sezon fenomenal. Ata kanë ekip dhe trajner të mirë. Është ndeshje shumë e rëndësishme për ne. E dimë se duhet të bëjmë një ndeshje të madhe nesër sepse ata bëjnë më të mirën ndaj nesh. Janë edhe vetëm tre ndeshje. Gjykimi? Gjërat duhet të jenë të qarta për të gjithë.
VAR ndihmon në përmirësimin e futbollit, por duhen sqaruar pjesët specifike. Njerëzit e futbollit duhet të ulen dhe të diskutojnë këtë. Nuk do flas më për gjyqtarin. Ne do bëjmë punën tonë dhe ai të tijën nesër, nuk dua të bëj rrëmujë me atë që them.
A po punoj për të ardhmen time? Jo, vetëm për tre ndeshjet e mbetura. I shoh ndeshjet e kundërshtarëve, nuk ka asnjë problem për mua. E bëj sepse më pëlqen futbolli. Mendoj vetëm për ato tre ndeshje, por do ishte e padrejtë të thuhej se kemi bërë sezon të keq nëse nuk fitojmë titullin. Kemi nevojë për lojtarët e akademisë dhe ata po bëjnë shumë mirë.
Nëse kemi nevojë për lojtarë, do marrim nga ekipi i dytë. Me Raul, trajnerin e tyre, unë shkoj shumë mirë dhe jemi vazhdimisht në kontakt. Mund ta fitojmë titullin, ashtu siç mund edhe ta humbasim. Kemi bërë ndeshje të mëdha në këtë sezon të gjatë.
Nuk them asnjëherë se është sezon i keq, këtë e them vetëm nëse nuk kemi dhënë më të mirën në fushë. Në 2017 ne bëmë një sezon të madh dhe e humbëm titullin në ndeshjen e fundit”, tregoi Zidane. /abcnews.al