E dinin mirë se ky është një sezon të cilit nuk ia ke besën.
Barcelona, ashtu si edhe Reali, I kanë provuar tekat e një edicioni të vështirë në La Ligë, por edhe në konkurrime të tjera, ndaj edhe katalanasit nuk u habitën që u lodhën aq shumë për tri pikët në Bilbao.
Në “San Mamesin” e ri, në një atmosferë tepër të zjarrtë për shkak të tifozëve baskë, skuadra “blaugrana” diti të vuante, dhe ia doli në mënyrën e vetme të mundshme.
Një yll I vetëm mund të nxjerrë skuadrën nga balta, dhe këtë e bëri Lamin Jamal.
Adoleshenti I Barçës shënoi me klasin e tij në 68’ për suksesin minimal 1-0, por tepër të rëndësishëm.
Si për herë, katalanasit dominuan zotërimin e topit me 73 për qind, por gjithçka tjetër ishte në ekuilibër.
Të besuarit e trajnerit Hansi Flik u shkëputën sërish 4 pikë nga Reali në krye të La Ligës, dhe kjo në një moment-kyç, pasi në mesjavë rinis Championsi me eliminim direkt.
“Goli I Ligës, – titullon “El Mundo Deportivo”, – Barça arrin një triumf jetësor në “San Mames”. Talenti I Jamalit vendosi pas pasimit mjeshtëror të Pedrit!”
“Gol I madh dhe në plus 4, – është komenti I të përditshmes “Sport”, – Lamin Jamal zgjidh një ndeshje të vështirë në “San Mames” me një goditje brilante!”


