I jepet lamtumira 21 vjeçares, ABC News në fshatin e të rinjve

schedule19:06 - 22 Janar, 2018

schedule 19:06 - 22 Janar, 2018

Vrasja e 21-vjeçares Arjela Murataj ishte paralajmëruar nga vetë autori i krimit Aldison Beluli. ABC News shkoi në fshatin Zharrëz të Fierit, prej nga ishin dy të rinjtë dhe mësoi detaje të reja rreth tragjedisë.

Një për mua dhe një për të. Kështu ishte shprehur 23 – vjeçari Beluli në këtë lokal në qendër të fshatit Zharrëz një javë më parë duke vendosur 2 plumba në tavolinë. Kjo ndodhi pasi të afërm të 21-vjeçares e kishin takuar duke i kërkuar të hiqte dorë nga vajza sepse ajo nuk e donte.

Valbona Daci, gazetare e ABC News, Fier: “Humbja tragjike e 21-vjeçares ishte e papritur për familjarët e saj këtu në fshatin Dukas, por jo për rrethin shoqëror të autorit . Ky i fundit e kishte deklaruar një javë më parë se do të kryente vrasjen e vajzës dhe vetëvrasjen e tij. Madje kishte treguar edhe dy plumbat me të cilat kreu aktin”.

Studentja Ariela Murati kishte kërkuar ndihmën e të afërmve të saj për ta bindur 23-vjeçarin të mos e ngacmonte më. Dy të rinjtë banonin në fshatra fqinj me njëri tjetrin. Aldo Beluli në Zharrëz dhe Ariela në Dukas. Ata kishin frekuentuar të njëjtën shkollë të mesme.

Mirela Nasto, drejtoresha e shkollës në Zharrëz: “Ngushëllimet e mia të sinqerta, familjes, të afërmve”.

Ndërkohë që familjarët i dhanë lamtumirën e fundit 21 vjeçares Ariela Murati, Aldison Beluli, personi që qëlloi mbi 21-vjeçaren dhe më pas mbi veten, ndodhet në gjendje të rëndë në spital.
Shkak për ngjarjen dyshohet refuzimi i vajzës për lidhje me autorin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!