Një 38-vjeçar, i dënuar me mbi 7 vite burg në Itali për disa vepra penale, është arrestuar në Vlorë me qëllim ekstradimin drejt shtetit fqinj.
Në kuadër të operacionit të koduar “Target 1”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë kanë bërë të mundur lokalizimin dhe kapjen e shtetasit Skerdi Mehmetaj, alias Piperi, banues në Selenicë.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit e Bolonjës në Itali e kishte dënuar me 7 vite, 3 muaj e 15 ditë burgim.
38-vjeçari akuzohet për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, zhvatje dhe tentativë zhvatjeje në bashkëpunim, posedim dhe përdorim të mjeteve zjarrvënëse (Molotov) në zonën e Riminit, falsifikim dokumentesh identifikimi, rikthim të paligjshëm në Itali dhe mbajtje të armëve pa autorizim.
Veprimtaritë kriminale janë kryer gjatë periudhës 1 shkurt 2015 – 12 shkurt 2020. Nga dënimi i dhënë nga drejtësia italiane, atij i kanë mbetur për të vuajtur edhe 6 vite, 4 muaj e 3 ditë burgim.
Ndërkohë, Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët italianë, po vijon procedurat për ekstradimin e 38-vjeçarit drejt Italisë.


