Humoristi Afrim Agalliu: Si na bëri Vera Grabocka të realizonim shfaqjen brenda 1 jave

schedule23:18 - 15 Maj, 2020

schedule 23:18 - 15 Maj, 2020

Afrim Agalliu një nga katër Parodistës e Vlorës  mbrëmjen e sotme në “Provokacija”  ka folur për zhvillimet artistike në Shqipëri.

Gjatë intervistës me gazetarin Mustafa Nano, ai është ndalur te ndarja nga jeta e artistit Muhamet Lika, për të cilin u shpreh se kishte një  lidhje të ngushtë me humoristin.

“Me Metin kishim gati 40 vjet në skenë bashkë. Prej 1 viti nuk është me ne, ndërroi jetë në Itali. Ka qenë moment shumë i trishto për ne, kishim një jetë të tërë bashkë jo vetëm në skenë por jemi bërë shumë edhe familjarisht, fëmijët i kemi rritur bashkë. Kudo që shkonim me estradën, zakonisht në periudhat e beharit merrnim dhe familjet me vete”, tha aktori.

Gjithashtu humoristi i njohur u shpreh se artistët e rinj kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm  në fushën artistike edhe pse theksoi se shumë prej tyre tërhiqen më shumë nga paraja.

“Të rinjtë gjithmonë sjellin të renë, ndërkohë që ne të vjetrit e kemi disi të vështirë ta përqafojmë të renë. Bëjnë një punë të madhe. Prodhojnë javë për javë. Në fushën e aktrimit të rinj janë secili vetvetja kanë personalitet secili prej tyre”.

Por humoristi nuk harroi të shprehte edhe konsideratat e tij për artistin Pëllumb Kulla, për të cilin Agalliu shprehet se i është tepër mirënjohës.

“Pëllumbi ka ndikuar shumë tek unë në formimin artistik. Këto vitet e fundit më ka rënë një barrë e madhe sepse estrada nuk ka regjisor dhe jam detyruar ta bëj nga e keqja. Dua të evidentoj një fakt se jam me fat se kam një koleg tani si Agroni, e them pa dorashka që përveç anës profesionale si artist është dhe një makineri pune. Është një njeri që po e pa një material ai thotë direkt po”, tha Agalliu.

Megjithatë aktori i humorit është shprehur edhe për vështirësitë që ka në punën e tij si artist ndërsa shtoi se vazhdon të punojë dhe do të vazhdojë në vijim përpos pengesave.

Më tej ai u ndal edhe tek një episod i jetës artistike me regjisoren Vera Grabocka.

“Ajo është kategorike, është e prerë. Të prek në sedër. Në 1987 kemi marrë çmimin aktorët më të mirë të vitit dhe kishte fituar edhe Ismail Kadare. Dhe më kujtohet kur na tha: Çuna erdhët? Shumë bukur! Me Jorgo Papingjin, shpejt të bëni parodinë, të premten do ja tregojmë drejtorit, të shtunën kemi shfaqjen. Mbaj mend që i thashe: Më fal Vera, si ka mundësi që të bëjmë për një javë këtë?! Nuk e di unë, -tha; Keni fatin e madh që jeni fitues i çmimit por mbi të gjitha që do keni Ismail Kadarenë, bëni çfarë të doni, vrisni veten, po të doni bëjeni po të doni mos e bëni! Me këtë na vuri në sedër dhe ne brenda 1 jave e kemi dhënë shfaqjen që bëri një impakt shumë të madh. Dua të them që me punë arrihet gjithçka”, tha aktori Agalliu./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!