Hodhi nga shkallët 41-vjeçarin pas sherrit në lokal, arrestohet i riu në Elbasan, i plagosuri rëndë

schedule21:42 - 5 Dhjetor, 2021

schedule 21:42 - 5 Dhjetor, 2021

Pak orë pas sherrit në një lokal në Elbasan ku mbeti i plagosur rëndë Adrian Qosja, 41 vjeç, policia ka bërë të mundur arrestimin e autorit. Në pranga është vënë 24-vjeçari Bernardo Kasriu.  Sipas bluve pas sherrit i riu ka rrëzuar nga shkallët 41-vjeçarin duke i shkaktuar plagë të rënda.

Ky i fundit u dërgua fillimisht në spitalin e Elbasanit për të marrë ndihmën e parë mjekësorë por më pas për shkak të gjendjes së rënduar u transportua drejt Traumës në Tiranë. Policia po vijon hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të kësaj ngjarje.

“Falë reagimit të menjëhershëm të Policisë, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i konfliktit fizik, me pasojë plagosjen e rëndë, të ndodhur në një lokal në Elbasan. Menjëherë pas njoftimit të marrë për ngjarjen e ndodhur në lagjen “Vullnetari”, në një lokal, ku pas një konflikti fizik të çastit, mbeti i dëmtuar shtetasi A.Q., 41 vjeç, shërbimet e Policisë shkuan menjëherë në vendngjarje.

Falë reagimit në kohë, kontrolleve intensive, krehjes së zonës dhe marrjes së informacioneve në rrugë operative, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja e autorit të dyshuar të ngjarjes. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit B.K., 24 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”.

Ky shtetas për motive të dobëta, gjatë një konflikti fizik të çastit, rrëzoi në shkallë shtetasin A.Q., duke i shkaktuar plagë të rënda, i cili ndodhet në Spitalin Universitar të Traumës në Tiranë, për ndihmë më të specializuar mjekësore. Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, bën me dije policia. m.v/Abcnews.al