Historike, Trump dhe Kim takohen në Singapor

schedule08:31 - 12 Qershor, 2018

schedule 08:31 - 12 Qershor, 2018

Donald Trump dhe Kim Jong-un shtrënguan duart në një takim historik mes tyre në Singapor, që tërhoqi vëmendjen e gjithë botës. Të dy liderët u deklaruan shpresëplotë se ky moment do të jetë fillimi i një procesi paqeje mes SHBA-ve dhe Koresë së Veriut.

Tashmë ka ndodhur ajo që diskutohej shumë prej muajsh, madje u realizua përtej pritshmërive. Është fjala për takimin historik mes Donald Trump dhe Kim Jong-un në Singapor. Presidenti amerikan dhe lideri i Koresë së Veriut fillimisht u takuan në oborrin e hotelit Capella, ku ishte shtruar një tapet i kuq, ndërsa në sfond qëndronin flamujt e dy vendeve: shtrëngimi historik i duarve, në takimin ballë për ballë të parë mes dy lidërve, ka zgjatur 13 sekonda, me Trump që ushtroi forcë në kontaktin me udhëheqësin e ri, duke vendosur shkurtimisht dorën e tij të majtë në krahun e djathtë të Kim. Pas një shkëmbimi të shkurtër të drejtpërdrejtë të përshëndetjeve, të dy udhëheqësit pozuan përpara fotografëve dhe kamerave për të kapur momentin historik.

“Është kënaqësi që ju takoj zoti President”.

Janë këto fjalët e prononcuara nga lideri koreanoverior Kim Jong-un pas dorështrëngimit historik dhe fotografisë. Sipas asaj që raporton CNN, nga përkthimi mësohet se Kim ka thënë më tej: “Shumë persona në botë mendojnë se është një formë fantazie… një film fantashkence”.

Pas atij ballë për ballë, presidenti amerikan dhe lideri koreanoverior zhvilluan një takim të zgjeruar për 45 minuta me sekretarin e shtetit, Mike Pompeo, shefin e kabinetit John Kelly dhe këshilltarin për Sigurinë Kombëtare John Bolton, me krahun e djathtë të udhëheqësit të Phenianit, Kim Yong-chol, ministrin e Jashtëm, Ri Yong-ho dhe Ri Su-yong, president i Komisionit diplomatik të asamblesë së popullit. Më tej, pasoi një mëngjes pune me një menu mes shijesh perëndimore dhe aziatike.

“Kemi bërë shumë progres, takimi ka shkuar shumë më mirë se çdokush mund të priste”, u shpreh Trump në fund të mëngjesit të punës me liderin Kim Jong-un, me të cilin bëri një shëtitje në kopshtet e hotelit “Capella” në Singapor.

Më pas, kreu i Shtëpisë së Bardhë i tregoi liderit të Koresë së Veriut “bishën”, makinën presidenciale.

“Do të kemi sfida përpara por do të punojmë me Trump. Do të kalojmë të gjitha llojet e skepticizmit dhe spekulimet për këtë samit dhe besoj që kjo do të jetë një e mirë për paqen”, u shpreh Kim Jong-un.

“Kemi zhvilluar një takim historik, kemi vendosur që ta lëmë pas të shkuarën. Kemi firmosur një dokument historik, bota do të shikojë një ndryshim shumë të rëndësishëm”, shton Kim ndërsa falenderon Trump që bëri të mundur këtë takim.

“Procesi i denuklarizimit të Koresë së Veriut do të nisë shumë shpejt”, siguron presidenti amerikan pas nënshkrimit të dokumentit të përbashkët. Gjithashtu Trump është shprehur i gatshëm të ftojë Kim për vizitë në Shtëpinë e Bardhë. Ndërsa pyetjeve të gazetarëve nëse do të pranojë ftesëm, Kim i është përgjigjur me një pohim me kokë./abcnews.al