Kamerat e sigurisë të Gardës së Republikës konfirmojnë faktin se Shkëlzen Qordja, kishte hyrë brenda ambienteve të institucionit i vetëm rreth orës 6 e 45 minutat të mëngjesit të 30 Qershorit.
Detaje të reja janë mësuar rreth vetëvrasjes së mistershme të Shkëlzen Qordja, gardisti i cili u gjet i pajetë mëngjesin e 30 Qershorit brenda institucionit të rëndësisë së veçantë.
Nga regjistri i hyrje-daljeve të shërbimit të Gardës së Republikës, 31-vjeçari Qordja kishte hyrë në ambientet e brendshme rreth orë 6 e 45 minuta të mëngjesit. Kjo gjë është fiksuar edhe nga kamerat e sigursë të, cilat vërtetojnë se i ndjeri ishte i vetëm në automjetin tip Hyundai.
Më pas mbetet ende e paqartë se, në çfarë ore u krye akti nga Qordja, ndërsa në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Brendshme pohohet se, viktima u gjet i pajetë rreth orës 9 e 30 të ditës së shtunë.
Ndërkohë nga dëshmitë e dy shokëve të Shkëlzen Qordjas, vërtetohet se ata kishin frekuentuar dy lokale të ndryshme në kryeqytet, një ditë para se të ndodhte ngjarja e rëndë, e deri në e para të mëngjesit të asaj të shtune.
Viktima, sipas miqve të tij, kishte konsumuar vetëm dy birra, duke hedhur poshtë variantin se, ai mund të ketë qenë i dehur në momentin e vetëvrasjes. Brenda automjetit, i cili ishte i mbyllur nuk u gjetën avuj alkooli dhe kjo gjë u vërtetua nga ekspertiza mjeko-ligjore, ku 31-vjeçari nuk kishte nivel të lartë të alkoolit në gjak. Sipas prokurorisë, aparati telefonik i Shkëlzen Qordjas ishte i pambyllur me kod sigurie.
Nga kqyrja e tabulateve telofonike, por edhe atyre të mesazheve që ishin regjistruar në aparatin celular të viktimës, grupi hetimor nuk ka konstatuar biseda me nivel të rënduar emocional.
Edhe familjarët e 31-vjeçarit e konfirmojnë këtë fakt. Ata deponuan se, nuk kishin parë asnjë shqetësim te Shkëlzeni dhe nuk dinin që djali i tyre të ishte në gjendje të rënduar psikologjike.
Një nga pistat që po hetohet së fundit nga grupi hetimor është edhe ajo e vetëvrasjes nga pakujdesia, gjë që mbetet për t’u vërtetuar deri në përfndim të çështjes të nisur nga Prokuroria e Tiranës. /abcnews.al