TIRANË- Partia Socialiste propozon zyrtarisht 4 variante për hartën e re territoriale. Në analizën e plotë të ekspertëve të ngarkuar nga mazhoranca socialiste, vlerësohen disa skenarë të mundshëm për të ndryshuar hartën.
Varianti i parë nuk prek numrin e 61 bashkive, lë hartën e ndryshuar në 2014, por synon decentralizim asimetrik. Sipas propozimit, përgjegjësitë funksionale diferencohen sipas kapacitetit të demonstruar, funksionet bazë u mbeten të gjitha bashkive, ndërsa funksionet më kërkuese u ngarkohen vetëm njësive me kapacitet të mjaftueshëm ose ushtrohen përmes qeverisjes së përbashkët.
Varianti i dytë, bashkitë e mëdha. Ky variant kërkon ndërhyrje të thella në territor. Më parë, për këtë ndërhyrje PS kërkonte 36 bashki, ndërsa këtë herë flitet për konsolidim territorial gjithëpërfshirës, me objektivin që çdo bashki e re të ketë kapacitet të mjaftueshëm institucional për të ushtruar funksionet, me mundësi edhe për decentralizim të funksioneve të mëtejshme.
Avantazhi është barazia funksionale e plotë e njësive.
Varianti 3, gjithashtu synon më pak bashki, por ndërhyrje vetëm në qarqe të përzgjedhura. Kërkohen bashkime të mesme dhe rialokim i funksioneve plotësuese. Konsolidim i moderuar: bashkimet përqendrohen te njësitë me kapacitet të kufizuar, në mënyrë që çdo bashki të ushtrojë me siguri funksionet bazë dhe të zgjeruara, ndërsa funksionet e specializuara plotësuese rialokohet te qeveria qendrore, bashkëpunimi ndërbashkiak ose niveli i dytë vendor.
Në variantin 4, propozohet zvogëlimi i disa bashkive, dhe bashkimi i tyre me disa të tjera duke ristrukturuar hartën territoriale. Nuk theksohet nëse ky variant do të rritej apo ulej numri i bashkive.
Por veç ndërhyrjeve në territor, PS propozon edhe krijimin e rajoneve në dy variante. Varianti 1, propozon hartë me dy nivele. 12 qarqet të ktheheshin në 12 rajone, ndërsa bashkitë të mbeten siç janë.
Kurse varianti 2, synon po qarqet, por të shoqëruara me zvogëlim i numrit të bashkive, dhe bëhet fjalë vetëm për bashkitë të cilat nuk kanë mundur të performojnë mirë si bashki më vete. Megjithatë, PS nuk rekomandon asnjë variant si të preferuar, duke ia lënë në dorë Komisionit të Reformës Territoriale.
Në fakt, Komisioni i Reformës Territoriale në 9 muaj dështoi të nxjerrë një produkt konsensual. Bipolarizimi politik dhe bojkotet e herë pas hershme të opozitës bllokuan disa herë punën.
14 korriku ishte afati i fundit, dhe tashmë palët duhet të shtyjnë afatin. Në rast se do të miratohet një hartë e re territoriale, Komisioni i Reformës duhet të mbyllë punimet 6 muaj para zgjedhjeve të ardhshme lokale në 2027.
/abcnews.al



