Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj doli në një konferencë për shtyp pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë. Ai njoftoi se nuk do të japë dorëheqjen dhe se nuk do të ketë zgjedhje të reja dhe rrëzim qeverie.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj mbajti një mbledhje të Këshillit të Sigurisë, ku u diskutua situata e fundit në vend. Pas mbledhjes ai doli në një konferencë për shtyp ku sqaroi se Ministria e Brendshme ka dhënë urdhërin për arrestimin e drejtorit të zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç në Veri të Mitrovicës. Haradinaj komentoi edhe vendimin e Listës Serbe për largim nga koalicioni qeveritar.
“Është e pakuptueshme marrja e një vendimi për largim nga koalicioni”.“Dorëheqje nuk e kam plan me dhanë. Punën kam me vazhdu”, deklaroi Haradinaj.
Ndërkohë, ai më tej theksoi rëndësinë e vazhdimit të dialogut mes dy vendeve për normalizimin e mardhënieve. Haradinaj ripërsëriti se Kosova nuk mund t’i bëjë asnjë lëshim Serbisë për njohjen e pavarësisë duke parë dhe thirrjen e shpeshtë të presidentit Aleksandër Vuçiç që Prishtina duhet të humbasë diçka. Gjithashtu shefi i qeverisë komentoi edhe paralajmërimin e Listës Serbe se Asociacioni i Komunave Serbe në Kosovë do të formohet me 20 prill. Në konferencë Haradinaj nënvizoi se ky është një vendim i nxituar dhe i dëmshëm për vendin që mund të çojë në përshkallëzimin e situatës./abcnews.al