Për përurimin e impiantit të ujërave të zeza të enjten në Komunën e Gjakovës nga kryeministri Albin Kurti, ka reaguar kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj i cili ka thënë se nuk mund t’i merr meritat Kurti për këtë projekt.
Haradinaj ka shkruar në Facebook se impianti ka filluar të ndërtohet gjatë qeverisjes së tij më 2018.
“Është mirë të jemi modestë në përvetësimin e meritave. Në rastin konkret impianti ka filluar të ndërtohet gjatë qeverisjes sime, është kryer nga ata që e kanë financuar dhe ka përfunduar në kohën e kësaj qeverie. Të shpresojmë që qeveria e ardhshme të ketë kënaqësinë që t’i inaugurojë projektet që i nisë qeveria e sotme”, shkruan Haradinaj.
Për më shumë ai ka thënë se mpianti për përpunimin e ujërave të zeza në Gjakovë, është një projekt strategjik i bashkëfinancuar nga Qeveria Gjermane, Qeveria e Zvicrës dhe Komuna e që ka marrë udhë që nga viti 2018.
“I lumtur që ky investim sot është në dobi të qytetarëve e të qytetit të Gjakovës! Asgjë nuk pikon nga qielli por është rezultat i një angazhimi të jashtëzakonshëm, edhe i donatorëve por edhe i Komunës se Gjakovës”, shkruan ai.
Gjatë ditës Albin Kurti mori pjesë në përurimin e impiantit të ujërave të zeza në Komunën e Gjakovës, ku ka theksuar Kosova është në rrugën e duhur për të siguruar mbrojtjen e mjedisit dhe avancimin e projekteve të rëndësishme infrastrukturore.
/KosovaPress/