Haradinaj e Thaçi riaktivizojnë grupin e punës për krijimin e komunave serbe

schedule20:31 - 4 Prill, 2018

schedule 20:31 - 4 Prill, 2018

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe Presidenti Hashim Thaçi kanë riaktivizuar grupin e posaçëm të punës që do të merret me hartimin e statutit të Shoqatës së Komunave Serbe. Grupi në fjalë do të ketë në përbërjen e tij tre nëngrupe, të cilat do të merren përkatësisht me menaxhimin, zbatimin dhe këshillimin për procesin që u jep autonomi komunave serbe në veri të Kosovës. Në procesin e hartimit të statutit do të jenë të pranishëm edhe aktorë ndërkombëtarë, të cilët e kanë asistuar Kosovën edhe në procese të tjera. Në përfundim, dokumenti i hartuar do t’i dorëzohet Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për të vlerësuar kushtetueshmërinë e tij. Në njoftimin për vendimin e marrë nga krerët e shtetit bëhet me dije se, me këtë hap Kosova do të përmbushë një tjetër detyrim ndërkombëtar, për të vazhduar rrugën e saj euro-atlantike. /abcnews.al