Hapja e Namazgjasë në Tiranë/ Krisafi: Vazhdojnë tensionet me KMSH, këtë e tregoi mungesa e tyre

schedule18:45 - 10 Tetor, 2024

schedule 18:45 - 10 Tetor, 2024

Këtë të enjte u përurua Xhamia e Namazgjasë në Tiranë, e cila do jetë një vend i ri lutjesh për besimtarët myslimanë.

Në një ceremoni të posaçme, organi i kultit u inaugurua me prerjen e shiritit nga Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Lidhur me këtë moment historik ka folur në “Tirana Live”, eksperti për marrëdhëniet ndërkombëtare, Ledion Krisafi, i cili ka thënë se vazhdojnë tensionet brenda Komunitetit Mysliman Shqiptar dhe këtë e tregoi mungesa e kreut dhe një pjesë të besimtarëve.

Sa i përket bashkëdrejtimit të xhamisë me Turqinë, ai theksoi se personalisht do të donte të ishte tërësisht shqiptare, sepse shton më shumë përçarjen brenda komunitetit mysliman.

“Pjesa e xhamisë, hapja e saj është një lajm pozitiv. Pas Katredales Ortodokse, duhej dhe xhamia në këtë rast, për të mbyllur gjithë procesin. Mënyra se si u bë hapja, fakti që kreu i Komunitetit Mysliman nuk ishte i pranishëm, tregon tensionet brenda komunitetit mysliman shqiptar, disa pro turke, disa pro guleniste, disa pro arabe, etj. Tregon një përçarje që ekziston mes komunitetit, në këtë rast fakti është që shumica e investimeve që kanë ndodhur nga Turqia kanë shkuar në Serbi, në Ballkan, nuk kanë ardhur në Shqipëri dhe as në Kosovë, por secili vend ka karakteristikat e veta në këtë rast.

Fakti që do të kemi një bashkëdrejtim të xhamisë me Turqinë në këtë rast, personalisht mendoj se do doja të ishte tërësisht shqiptare le të themi, sepse shton më shumë përçarjen brenda komunitetit mysliman, por në tërësi është vazhdimësi të marrëdhënieve shumë të mira që ka Shqipëria me Turqinë”, tha Krisafi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!