Hapet tek “Mbretëresha Geraldinë” pavijoni i veçantë për nënat e prekura nga Covid-19

schedule16:02 - 24 Korrik, 2020

schedule 16:02 - 24 Korrik, 2020

Ministrja e Shëndetësisë ka njoftuar ditën e sotme se së shpejti nis investimi për rindërtimin dhe zgjerimin e këtij spitali universitar.

Ministrja Ogerta Manastirliu, nga materniteti “Mbretëresha Geraldinë”, ku është hapur një pavijon i veçantë për nënat e dyshuara apo të prekura nga Covid-19, deklaroi se të gjitha masat e marra në maternitete kanë rezultuar efikase për mbrojtjen e nënave dhe bebeve nga epidemia e shkaktuar nga SARS COV-2.

“Ky pavijon i veçantë, i dedikuar për rastet Covid-19, me staf të dedikuar është një ndër masat për përballimin e kësaj situate, edhe në maternitete, ku po bëhet një punë e jashtëzakonshme për sigurinë e nënave dhe të porsalindurve”, tha Manastirliu.

Manastirliu vizitoi edhe një nënë të re, e cila, falë punës së stafit mjekësor, ka sjellë në jetë shëndoshë e mirë vajzën e saj, një prej rasteve të suksesit të rralla edhe në botë.

Sipas mjekëve, ky është një rast shumë i rrallë sepse nëna ka mungesë të një pulmoni dhe një veshke dhe, edhe në literaturë, mbi 90% e këtyre rasteve nuk finalizohen me sukses, por për fat të mirë çdo gjë ka shkuar mirë për 27-vjeçaren nga perfieria e Tiranës dhe foshnjën e saj që gëzon shëndet të plotë.

“Kjo është një mrekulli e jetës. Ne kemi një ekip të mrekullueshëm, që edhe në kohë pandemie bëjnë një punë shumë të madhe në të gjithë sistemin tonë shëndetësor, ku po ofrohen shërbime jo vetëm për pacientët me COVID por për të gjithë qytetarët që kanë nevojë”.

Manastirliu është shprehur po ashtu se në maternitetin simbol të Tiranës do të realizohet një investim 6.4 milion euro për dyfishimin e kapaciteteve dhe pajisjen me aparatura të teknologjisë së lartë në këtë maternitet.

“Kemi kohë që po punojmë dhe lajmi I mirë është që jemi gati për fillimin e procedurave për rindërtimin dhe zgjerimin e spitalit Mbretëresha Gerladinë, një investim prej 6.4 milion euro nga qeveria shqiptare, I programuar në buxhetin e këtij vit”, tha Manastirliu. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!