Hakerët rusë tentojnë vjedhjen e studimeve mbi vaksinat anti-Covid19

schedule17:32 - 16 Korrik, 2020

schedule 17:32 - 16 Korrik, 2020

Qendra Kombëtare britanike për Sigurinë Kibernetike tha të enjten se hakerë të mbështetur nga shteti rus po përpiqen të vjedhin nga institucionet akademike dhe farmaceutike të botës studimet mbi vaksinat dhe trajtimin e koronavirusit.

Një deklaratë e hartuar nga Britania në koordinim me Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë, ia atribuon sulmet grupit APT29, i njohur gjithashtu me emrin “Cozy Bear”, për të cilin ata thonë se pothuajse me siguri funksionon si pjesë e shërbimeve të zbulimit rus.

“Ne i dënojmë këto sulme të neveritshme kundër atyre që bëjnë punë me rëndësi jetike për të luftuar pandeminë e koronavirusit”, tha Paul Chichester, Drejtor i Operacioneve të Qendrës britanike për Sigurinë Kibernetike.

Qendra tha në deklaratë se sulmet e grupit janë duke vazhduar dhe se ata përdorin një larmi mjetesh dhe teknikash, përfshirë metodën “spear-phishing” apo injektimin e viruseve kompjuterike të njohura si “malware”.

“APT29 ka të ngjarë të vazhdojë të verë në shënjestër institucione që merren me studimin dhe zhvillimin e vaksinës për COVID-19n,” thuhet në deklaratë.

Britania dhe Shtetet e Bashkuara thanë në muajin maj se disa rrjete hakerësh kishin vënë në shënjestër institucione kombëtare dhe ndërkombëtare që punonin për t’iu përgjigjur pandemisë COVID-19. Por sulme të tilla nuk ishin parë si të lidhura haptazi me shtetin rus.

Grupi i lidhur me qeverinë ruse “Cozy Bear” dyshohet gjerërisht për piratimin e serverave të Partisë Demokrate në SHBA në prag të zgjedhjeve presidenciale të 2016. /VOA