Nervozizëm i madh, gjatë dhe pas ndeshjes. Mirsad Jonuz ishte i papërmbajtshëm. Trajneri i Vllaznisë e kishte me gjykimin dhe pretendimet e tij ishin për një pozicion jashtë loje. Një moment po fliste me zyrtarët e ndeshjes dhe po ankohej, ndërkohë që në fund nuk u përmbajt.
“P**** di madre” u dëgjua deri në tribunën e gazetarëve, ndërkohë që trajneri i Vllaznisë u pa duke turfulluar. Jonuz çuditërisht u kap edhe me gazetarin e Supersport, Sokol Xhihani. Arsyeja nuk u kuptua, ndërkohë që drejtuesit shkodranë u detyruan të nxjerrin në emisionin “Gol pas Goli” ndihmësin e tij, Safet Osjen.
TËRBIMI I ADMINISTRATORIT – Suad Lici gjithashtu nuk u pa i qetë. Kreu i klubit të Vllaznisë e kishte me gjykimin dhe fillimisht u kap me Blerim Zirin, i cili ishte arbitër i katërt. “Ça je tu ba ma, a nuk të vjen turp?! O Ziri, a nuk të vjen turp?! Nuk keni fytyrë ju, jo!”, u dëgjua të thoshte Lici.
Jo vetëm kaq, pasi edhe në pushim administratori i Vllaznisë nuk i ka kursyer arbitrar, sikurse bëri edhe në fund të takimit. “Hajdutë, hajdutë jeni!”, u tha mes të tjerash Lici gjyqtarëve të ndeshjes, kryesuar nga Andi Koçi.
Në momentin që u sinjalizua përfundimi i ndeshjes, administratori i shkodranëve uroi vendasit për fitoren, ndërkohë që ndër të tjera u dëgjua të thoshte: “Na sollët shpirtin në majë te hundës, ndeshje per ndeshje”. Një nervozizëm i tepruar, që sikurse kuptohet, është i akumuluar dhe i bëri shkodranët të shpërthejnë në ndeshjen e fundit të vitit. / abcnews.al