Manchester City përflitet si klubi i ardhshëm i Leo Messit. “Pleshti” ndodhet në vitin e fundit të kontratës me Barcelonën dhe mund të firmosë një parakontratë me klubin e ri në janar, gjithmonë nëse nuk vjen rinovimi me katalanasit brenda vitit 2020.
Pep Guardiola, i cili ditën e djeshme rinovoi me “Cityzens” deri në verën e vitit 2023, do e priste me krahëhapur, por flet si tifoz i Barcelonës në prononcimin e dhënë para takimit të ditës së shtunë kundër Tottenham në transfertë.
“Jam një tifoz i Barcelonës dhe si tifoz shpresoj që Messi të mos largohet. Do doja që ai ta përfundonte karrierën në Camp Nou. Ai është pjesë e Barcelonës për momentin, një klub me të cilin jam shumë i lidhur.
Nuk e di se çfarë mendon Leo, nuk ia kam idenë nëse dëshiron të largohet. Gjithsesi, merkato e fundit të sezonit hapet në verë dhe jo tani. Rinovimi? Do doja të përsërisnim atë që kemi bërë në tre vitet e fundit“, deklaron Pep Guardiola. /abcnews.al