Grupi i PS: Nesër seancë e jashtëzakonshme për shkarkimin e Xhafës

schedule15:47 - 5 Nëntor, 2018

schedule 15:47 - 5 Nëntor, 2018

Nesër do të zhvillohet një seancë e jashtëzakonshme parlamentare, ku do të votohet shkarkimi i Fatmir Xhafës. Ndërsa Sandër Lleshi do të mbajë detyrën e  zv/ministër i Brendshëm me kompetencat e ministrit. Kryeministri Edi Rama paralajmëron se nuk mbaron me kaq e me sa duket detajet do të mësohen nesër në seancën e jashtëzakonshme. Nuk ka munguar dhe reagimi i kreut të shtetit qe bën të qartë se nuk do të lejojë asnjë përpjekje sfiduese ndaj autoritetit të institucionit që përfaqëson.

Nuk ka rëndësi nëse e bind apo jo Presidentin e Republikes, Kryeministri e ka vendosur që Gjeneral Sandër Lleshi të drejtojë Ministrinë e Brendshme.  Madje ka gjetur një rrugë më të shkurtër, atë të emërimit në detyrën e zëvendës ministrit të parë duke i deleguar kompetencat e ministrit të brendshëm. Me këtë lëvizje kryetari i qeverisë vendos e firmos vetë dhe për këtë është në dakordësi të plotë edhe me Grupin Parlamentar socialist. Konfirmimi vjen nga vetë Kryeministri nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale.

Në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura mësohet që Edi Rama ti ketë njoftuar deputetët mbi takimin që zhvilloi një ditë më paë kokë më kokë për 90 minuta me presidentin e republikës në zyrën e këtij të fundit. Duket se nuk ka qenë aq konstruktiv dhe i hapur siç deklaroi këshilltari i tij për mediat pas takimit të së dielës.

“Presidenti nuk ka dhënë asnjë arsye po vetëm mosbindjen e tij. Ne nuk duhet të biem në këtë situatë që nuk është e jona. Ne duhet t’i dalim për zot situatës”.

Sipas kryeministrit Edi Rama, Presidenti ka shkelur Kushtetutën me mosdekretimin në detyrën e Ministrit të gjeneral Sandër Lleshit i cili duhet vlerësuar pasi si Pandeli Majko edhe ai e ka çertifikatën  më të lartë të sigurisë nga NATO, Top Cosmic u ka thënë kryeministri deputetëve.

Këto deklarata nuk i la pa përgjigje Kryetari i Shtetit. Është Zëdhënësi i Presidentit të Republikës që bëhet zëri i takimit kokë më kokë  Meta-Rama.

“Informacioni i dhënë nga Kryeministria lidhur me takimin ka qenë ezaurues.

Presidenti i Republikës bën të qartë se nuk do të lejojë asnjë përpjekje sfiduese ndaj autoritetit te institucionit qe përfaqëson si Kryetar i Shtetit, Komandant i Përgjithshëm i Forcave te Armatosura dhe Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Presidenti i Republikës ka shprehur gjithmonë gatishmërinë e tij t’i japë shpjegime në mënyrë transparente dhe të përgjegjshme Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për të gjitha çështjet që Kuvendi do të shprehë interes.

Presidenti Meta ka bindjen e plotë se koha e drejtimit të shtetit shqiptar me Sekretar të Parë ka përfunduar njëherë e përgjithmonë”.

E marta shënon ditën e fundit të afatit të votimit nga parlamenti të dekretit të presidentit për shkarkimin e ministrit të dorëhequr Fatmir Xhafaj. Për këtë arsye Grupi Parlamentar i mazhorancës  kërkoi mbledhjen e seancës së jashtëzakonshme parlamentare ku do të ngrihen kartonët jeshilë të socialistëve. Megjithatë seanca nuk do të mbyllet me kaq paralajmëron Kryeministri Edi Rama. Deputetëve të tij u thotë që do të jetë dita që do të bindin Presidentin e republikës, ndërsa ndjekësit e tij në rrjetet sociale i njofton që të mbajnë frymën pezull.

Në këtë ditë kur ekzekutivi dhe Presidenca kanë bërë lëvizjet e tyre, ministri i dorëhequr Fatmir Xhafaj i kujton publikut se loja e shahut vazhdon. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!