Greva e urisë në burgje, Ministria e Drejtësisë: Situata është normalizuar, hetim për organizatorët

schedule17:20 - 10 Tetor, 2020

schedule 17:20 - 10 Tetor, 2020

Pas disa ditëve Ministria e Drejtësisë ka reaguar në lidhje me grevën e urisë dhe protestën e të dënuarve në disa burgje në vend.

Sipas Ministrisë, greva e urisë ka qenë e përqendruar në IEPV Peqin e iniciuar nga subjekte të regjimit 41 bis.

Ministria e Drejtësisë thotë se ekipi i ri i komanduar në këtë burg kanë arritur të mbyllin refuzimin e ushqimit në burgun e Peqinit dhe në burgje të tjera ndërsa bëhet me dije se situata paraqitet e normalizuar në të gjitha institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.

Sakaq Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se “Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në bashkepunim me agjensitë e specializuara të shtetit kanë filluar hetimin për të gjithë elementët dhe faktorët e brendshëm apo të jashtëm që kanë synuar provokimin dhe nxitjen e kësaj situate me qëllim destabilizimin e sigurisë në burgje”.

Njoftimi:

Nisur nga situata e bërë edhe publike disa ditë më parë, lidhur me refuzimin e ushqimit në disa Institucione të Ekzekutimit të Vendimeve Penale, bëjmë me dije se të gjitha strukturat e angazhuara të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Burgje kanë pasur vëmendjen maksimale për sigurinë në institucione, respektimin e të drejtave dhe lirive të të dënuarve në respektim të ligjit si dhe sigurinë e jetës e shëndetit të tyre.

Pavarësisht pasqyrimit të bërë nga disa portale për një grevë masive në burgje, bëjmë me dije se kjo situatë ka qënë më së shumti në IEVP Peqin, pasi disa të dënuar në këtë institucion kanë refuzuar marrjen e ushqimit nga Institucioni duke paraqitur kërkesa të karakterit legjislativ për heqjen e dënimit me burgim të përjetshëm, uljen e dënimeve, amnisti, etj. Shkaku kryesor i fillimit të saj është inicuar nga subjekte të Regjimit 41bis pavarësisht përhapjes së saj edhe në grup të dënuarish të tjerë në disa institucione të tjera.

Ekipi drejtues i ri i komanduar në IEVP Peqin, në bashkëpunim me ekipin e Drejtorisë së përgjithshme të burgjeve, kanë arritur që të përmbyllin refuzimin e ushqimit në IEVP Peqin në datën 9 tetor 2020, duke pasuar me të njëjtin efekt edhe në disa institucione të tjera në datën 9 dhe 10 Tetor. Të dënuarve ju është mundësuar adresimi i shqetësimeve të tyre ligjore nëpërmjet përfaqësuesve të tyre ligjorë dhe organizmave monitoruese të të drejtave të njëriut.

Deri më sot situata paraqitet e normalizuar në të gjitha institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, pavarësisht kësaj situata po ndiqet me vëmëndje të shtuar nga të gjitha forcat e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve së bashku me ekipet e përbashkëta të Ministrisë së Drejtësisë.

Po gjithashtu, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në bashkepunim me agjensitë e specializuara të shtetit kanë filluar hetimin për të gjithë elementët dhe faktorët e brendshëm apo të jashtëm që kanë synuar provokimin dhe nxitjen e kësaj situate me qëllim destabilizimin e sigurisë në burgje.

Ministrja e Drejtësise ka urdhëruar ngritjen e një grupi pune që do të shohë me kujdes të veçantë problematikat e konstatuara për çështjet e sigurisë dhe respektimin e të drejtave të të dënuarve në respekt të kuadrit ligjor në fuqi për fshi dhe ndryshimet e përmirësimet e nevojshme në strukturat drejtuese të sistemit të burgjeve.

n.d./abcnews.al