Greqia në zgjedhje, kush është Kyriakos Mitsotakis, njeriu që rraskapiti Greqinë?

schedule14:31 - 7 Korrik, 2019

schedule 14:31 - 7 Korrik, 2019

Kryetari i Demokracisë së Re, Qirjakos Micotaqis wshtw protagonist i padiskutueshëm i zgjedhjeve parlamentare në Greqi. Me prejardhje nga një familje me histori të gjatë politike, Micotaqis synon ta rikthejë Greqinë në gjendjen e dikurshme, përpara se të rraskapitej nga kriza ekonomike, rritja e taksave dhe shkurtimi i të ardhurave.

Qirjakos Micotaqis e ka politikën në gjak. Babai i tij, Konstantinos Micotaqis, ishte kryeministër i Greqisë në fillim të viteve ‘90, ndërsa motra e tij Dora Bakojanis kryetare e Bashkisë së Athinës dhe më pas ministre e Jashtme.

Së bashku me socialisten Papandreu dhe konservatoren Karamanlis, familja Micotaqis ka dominuar skenën politike greke për vite me radhë. Kur partia Demokracia e Re ra nga pushteti në janar të vitit 2015 përballë radikalëve të majtë të Syrizës, në radhët e saj pati një revolucion.

Garda e vjetër doli jashtë loje, e fajësuar për përkeqësimin e situatës ekonomike dhe masat e ashpra anti-krizë. Asokohe, Qirjakos Micotaqis ishte ministër për reformën administrative, që çoi në shkarkimin e disa mijëra punonjësve shtetërorë për të implementuar kushtet për ndihmën ndërkombëtare.

Kjo u konsiderua një lëvizje kapitaliste për ministrin e diplomuar në universitetet e Harvardit dhe Stenfordit, që atëherë u duk se i përkiste pikërisht gardës së vjetër. Por tani, sondazhet e nxjerrin atë si njeriun e duhur për të udhëhequr Greqinë. Dhe nëse fiton zgjedhjet, Qirjakos Micotaqis do të shënojë pa diskutim rikthimin e familjes së tij në skenën politike. Pa harruar këtu se nipi i tij, Kostas Micotaqis, muajin e kaluar u zgjodh kryetar i Bashkisë së Athinës.

I konsideruar një liberal, 51-vjeçari mori drejtimin e Demokracisë së Re në janar të 2016-s, disa muaj pasi partia kishte humbur në një vit dy palë zgjedhje dhe një referendum. Menjëherë, ai nisi sulmet ndaj qeverisë populiste të Aleksis Tsipras.

“Tsipras dha gjithçka dhe në këmbim nuk mori asgjë”, tha ai lidhur me vendimin e kreut të Syrizës për të pranuar ndihmën e tretë nga Trojka.

Por çfarë do të bëjë Micotaqis nëse fiton zgjidhet? Gjatë fushatës, ai premtoi se do të ulë taksat, do të zhbllokojë privatizimet dhe do të ringjallë shtresën e mesme të goditur nga kriza. Megjithatë, ai do t’i ketë sërish duart e lidhura pasi vendi do të vazhdojë të jetë nën mbikëqyrjen ndërkombëtare, pavarësisht mbylljes së programit të ndihmave vitin e kaluar. Por lideri i demokracisë së re beson se hapësira për reduktimin e taksave ekziston.

“Të gjithë mendojnë se ne duhet t’i ulim taksat, përfshirë këtu kreditorët tanë”, tha ai në një intervistë për “Associated Press”.

Por për të arritur këtë, atij do t’i duhet të bindë kreditorët dhe BE-në, si dhe të arrijë një sufiçit prej 3.5 për qind të GDP-së brenda vitit 2022.

“Më jepni 12 muaj dhe unë do të bind kreditorët dhe tregjet financiare ndërkombëtare se Greqia mund të ndryshojë”, tha Micotaqis në të njëjtën intervistë.

Dhe ndryshe nga më parë, këtë herë ai është i vendosur se nuk do të ketë më shkarkime të punonjësve shtetërorë dhe as shkurtime të pensioneve e përfitimeve financiare./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!