Grabitja në Rinas, jehonë në mediat italiane

schedule23:30 - 9 Prill, 2019

schedule 23:30 - 9 Prill, 2019

Lajmi për grabitjen në aeroportin “Nënë Tereza” ka gjetur pasqyrim edhe në mediat italiane. E përditshmja “Corriere della Sera”, në edicionin online i kushtoi vëmendje shifrës së grabitur prej 10 milionë eurosh. Gazeta shkruan se agresorët hipën në një avion të linjës “Austrian Airlines” duke kryer një grabitje spektakolare. Një tjetër detaj, ku është fokusuar gazeta është edhe fakti se grabitësit ishin të armatosur me kallashnikovë dhe granata.

Një tjetër e përditshme që ka raportuar lajmin është “Il Fato Quotidiano”. “Grabitje 10 milionë euroshe”, shkruan gazeta, e cila gjithashtu rrëfen dinamikën e ngjarjes, se si autorët të maskuar e të armatosur deri në dhëmbë hynë në perimetrin e aeroportit, hipën në shkallët e avionit dhe zbrazën shumën e madhe të parave. Dy të përditshmet italiane shkruajnë gjithashtu se grabitësit po kërkohen në mbarë vendin./abcnews.al