Prokuroria e Krimeve të Rënda ka përfunduar hetimet dhe ka kaluar për gjykim çështjen penale ndaj 9 personave të akuzuar për grabitje bankash. Sipas prokurorisë, ata janë përgjegjës për tre episode të grabitjes së gati 9 milionë eurove teksa transportoheshin drejt Rinasit.
Prokuroria për Krimet e Rënda ka dërguar për gjykim nëntë persona, të akuzuar për grabitjen e gati 9 milionë eurove të bankave të nivelit të dytë në vend.
Grupi kriminal i drejtuar nga Admir Murataj dyshohet të mbajë autorësinë e tre episodeve kriminale të goditjes së autoblindave që transportonin vlerat financiare.
Sipas prokurorisë, goditja e parë është ajo e 13 shkurtit 2015 në një bankë pranë ish-Stacionit të Trenit në kryeqytet, ku u grabitën gati 2 milionë euro. Nën kërcënimin e armëve, persona të maskuar iu morë punonjësve të policisë private thasët me para në momentin që ata po i ngarkonin në një autoblindë që do udhëtonte drejt Rinasit.
Episodi tjetër është ai i dhjetorit të vitit 2015 në segmentin rrugor Kthesa e Kasharit- Rinas, ku u grabitën gati 3.8 milionë euro. Persona të armatosur, të maskuar dhe veshur me uniforma të ngjashme me ato të policisë, i prenë rrugën eskortës së bankës, neutralizuan punonjësit e siugurisë dhe u larguan bashkë me thasët e parave. I njëjti mekanizës, sipas prokurorisë është përdorur edhe në episodin e tretë, i shënua në shkurt 2017 në të njëjtin aks rrugor ku u grabitën gati 3.2 milionë euro.
Hetimi i rasteve identifikoi të pandehurit, dy prej të cilëve pas arrestimit bashkëpunuan me prokurorinë, duke u provuar dy grabitjet e shënuara pranë Kthesës së Kasharit.
Thellim i hetimeve provoi përfshirjen e Muratajt edhe në grabitjen e shkurtit 2015. Sipas prokurorisë, automjeti me të cilin dyshohet të jene larguar grabitësit është vënë re të hyjë brenda rrethimit të banesës së Admir Muratajt në Preze në dhjetor 2015 dhe shkurt 2017.
Të pandehurit e dosjes do të përballjen për episodet përkatëse me akuzat e “vjedhjes së bankave”, “pjesëmarrjes në në grup të strukturuar kriminal” dhe “mbajtje pa leje të armëve luftarake”.
./abcnews.al