Grabitet makina e transportit të parave në Rinas, vritet një prej grabitësve

schedule22:07 - 9 Prill, 2019

schedule 22:07 - 9 Prill, 2019

Një tjetër grabitje e bujshme parash, ndodhi sot në drekë në aeroportin e Rinasit. Disa persona të maskuar dhe të armatosur morën një sasi ende të papërcaktuar parash të disa bankave që do të niseshin drejt Vjenës dhe më pas u arratisën. Në shkëmbim zjarri me policinë që i ndiqte, mbeti i vrarë njëri prej grabitësve, ndërsa të tjerët po kërkohen në gjithë zonën e dyshuar. Kronika e kolegut Andi Qosja, tregon gjithë dinamiken e ngjarjes.

Me veshje kamuflazh, të armatosur, të maskuar dhe me një furgon pa targa me mbishkrimin hetimi tatimor, grabitësit arritën deri tek paratë e planifikuara për t’u grabitur, brenda pistës së avionëve në aeroportin e Rinasit.

Për të hyrë aty, ata thyen pikërisht këtë derë të rrethimit të pistës, e cila përdoret nga zjarrfikësit.

Paratë e disa bankave po transportoheshin nga makinat e blinduara të një shoqërie private të sigurimit fizik drejt avionit që do të nisej drejt Vjenës në orën 15.05.

Ende nuk është konfirmuar zyrtarisht sasia e parave të grabitura.

Pas marrjes së parave do të niste kalvari i vërtetë për autorët, që morën arratinë, por u përballën me policinë.

Gjatë ndjekjes nga uniformat blu në një rrugë dytësore, rreth 1 km larg Rinasit, mes policisë dhe grabitësve pati shkëmbim zjarri, në të cilin humbi jetën njeri prej autorëve.

Kjo foto tregon pikërisht grabitësin pas vrasjes. Ai është ende i paidentifikuar, pasi me vete nuk kishte asnjë dokument personal. Sipas burimeve, viktima kishte me vete një kallashnikov, tre krehëra, një granatë dhe tritol.

Autorët e tjerë, së bashku me thasët me para mundën të largoheshin.

Me tutje, pranë Laknasit,  ata i vunë zjarrin dhe braktisën furgonin e bardhë, për t’u larguar më pas me një makinë tjetër, duke iu shmangur ndjekjes së forcave të ndërhyrjes së shpejtë.

Por furgoni nuk arriti të digjej plotësisht, duke u lënë shumë mundësi ekspertëve të hetimit për të gjetur brenda tij prova që do të çojnë tek grabitësit.

Burime jo zyrtare thanë se në këtë grabitje parash janë përfshirë 5 persona, njëri nga të cilët u vra nga policia në shkëmbim zjarri, ndërsa të tjeret po kërkohen.

Forca speciale policore si RENEA e FNSH, të ndihmuara nga një helikopter u vunë në ndjekje të autorëve të grabitjes. Të angazhuara në operacionin e gjerë janë edhe forca nga Policia e Tiranës, Lezhës, Dibrës e Durrësi. /abcnews.al

Gazetar: Andi Qosja

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!