“Gomari i Babatasit” në teatrin “Migjeni” në Shkodër

schedule15:54 - 12 Prill, 2018

schedule 15:54 - 12 Prill, 2018

Në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës është shfaqur premierë një prej kryeveprave të Gjergj Fishtës, “Gomari i Babatasit”. Sarkazma therëse e Fishtës mbi deputetë e ministra abuzivë ishte përshtatur me aktualitetin, duke marrë vlerësimin maksimal të spektatorit shkodran. Spektatori shkodran e ka pritur jashtëzakonisht mirë premierën e kryeveprës së At Gjergj Fishtës, “Gomarin e Babastasit” vënë në skenën e teatrit “Migjeni”. Në fund të shfaqjes, trupa e aktorëve ka qëndruar në këmbë për 15 minuta, ndërsa spektatori i respektoi me duartrokitje.

Teatri “Migjeni” i Shkodrës shënoi premierën e kryeveprave të at Gjergj Fishtës, “Gomarin e Babatasit”. Kritika fishtjane me akuzat e forta mbi deputetet, ministrat dhe zyrtarët që përfshin mallkimin, ironinë dhe sarkazmën, erdhi e shtrirë edhe me realitetin e ditëve tona.

Kuvendi i Shqipërisë u ngjit me skenat e tij, në këtë sallë për 1 orë e 30 minuta. Vargjet e Fishtës të shkruara 100 vite më parë, ngjanin sikur ishin hedhur sot në letër.

Në mbyllje të shfaqjes spektatori mbajti për 15 minuta në skenë trupën e aktorëve, Zyliha Miloti e Besnik Çinari, Rita Gjeka, Pjerin Vlashi, Jozef Shiroka, Merita Smaja, Simon Shkreli, Rajmonda Markon, Nensi Bakalli, Fric Selmani, Eder Boshnjaku, Divni Gushta.

Kurse e gjithë muzika u ekzekutua drejtëpërdrejtë nga banda e qytetit të Shkodrës nën dirigjimin e Kujtim Alisë dhe me kompozim të Endri Sinës.

Regjisori Altin Basha e quan sfidë mesazhin e veprës që ta dërgojë në të gjithë teatrot shqipfolëse, këndej e andej kufirit.

Një skenografi dhe kostumografi origjinale nga Iliriana Loxha-Basha dhe gjetjet koreografike te detajuara nga Gjergj Prevazi ishin element të cilët pasurojnë shfaqjen.

Gjetja regjisoriale dhe teksti i ndërthurur me aktualitetin e sotëm, si debati për Teatrin kombëtar, bashkëpunimi mazhorancë – opozitë nën tryezë dhe lufta sipërfaqësore mes tyre, populli që mban mbi kurriz pasojat e një keq-qeverisje, ishin dëshmia e gjallë e asaj që Fishta përshkuante në vargjet e veprës së tij në 1923-shin, e që për fat të keq nuk kanë ndryshuar as sot pas më shumë se 100 vitesh shtet./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!